Kryetari i PD, Basha deklaroi dje nisjen e një procesi të ri në PD që do të synojë bashkimin e të gjithë demokratëve. Procesi pritet që të nisë shumë shpejt dhe qëllimi i tij është bashkimi i të gjithë njerëzve me kontribute. “Unë kam marrë një vendim individual për listat dhe jam i vetëdijshëm. Për këtë arsye është detyra ime të kem një tolerancë më të lartë individuale ndaj atyre që e kanë parë veten jashtë listave. Në këtë proces që po nis do të ketë vend për secilin dhe secilën që të japin kontributin e tyre. Kjo nuk do të varet fare nga humori i tyre në raport me Lulzim Bashën”- u shpreh kryetari i PD-së.
Por nga ana tjetër ai nuk i trembet aspak zërave që thonë se të pakënaqurit në PD, mund të krijojnë një forcë të re politike kur tha: “Që PD-së ti bësh shantazh me përçarje kjo ska funksionuar kurrë. Nuk ka funksionuar me Sali Berishën dhe nuk do të funskionojë as me Bashën kryetar, kjo për shkak të mbështetësve të PD. Vija e kuqje për mua është interesi i PD-së. Nëse cënohet interesi i PD-së apo militantët e PD-së, atëhere është detyra ime për të reaguar në mënyrën më të prerë”, tha Basha.
I detyruar për marrëveshjen e 18 Majit
Kryetari i PD, Basha ka shpalosur dje një panoramë reale të kushteve që imponuan marrëveshjen e 18 majit dhe pasojat e saj, ndërsa ka paralajmëruar një aksion të fortë opozitar për një reformë që duhet të ndryshojë sistemin politik duke nisur nga garantimi i votës. Basha deklaroi se Shqipëria është sot në duart e një karteli dhe ky është problemi kryesor që duhet të shqetësojë shqiptarët.
Kryetari i PD, Basha deklaroi se futja në zgjedhje e PD nuk ishte një dëshirë e kryetarit të PD, por një detyrim që erdhi pas ndërhyrjeve dhe deklaratave nga BE dhe misioni amerikan, i cili propozoi McAllister Plus. “Në bindjen time nuk do të kishte zgjedhje me Ramën. E kisha deklaruar se ai ishte problem dhe se me të nuk mund të kishte zgjedhje”, tha Basha. Kryetari i PD deklaroi se kishte një gjykim tjetër për marrëveshjen me Ramën nga lideri historik, Berisha. Ai tha se nuk ishte një zgjidhje e shkëlqyer, por e imponuar.
Për herë të parë pas zgjedhjeve të 25 qershorit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka folur në emisionin “Opinion” në “Tv Klan” për situatën në të cilën ndodhet opozita shqiptare.
Kryedemokrati u shpreh se deklaratat dhe kritikat e Berishës shërbejnë për të bërë një analizë dhe reflektim për gjendjen e opozitës dhe Partisë Demokratike.
Megjithatë, Lulzim Basha mendon ndryshe nga Sali Berisha për marrëveshjen e 18 majit me Edi Ramën. Në këtë pikë, Basha thotë se u detyrua ta bënte atë pakt.
“Këtu kam një qëndrim ndryshe nga z. Berisha. Berisha e quan fitore të shkëlqyer marrëveshjen. Për mua marrëveshja erdhi në kushtet e një detyrimi absolut. Marrëveshja politike e 18 majit që erdhi pas ndërhyrjes amerikane dhe si e tillë nuk ishte qëllimi im, pasi qëllimi im ishte largimi i Edi Ramës. Pas disa ndërhyrjeve të europianëve, erdhi misioni amerikan që u njoh si Mcallister plus. Në këtë moment PD u detyrua të pranonte marrëveshjen”.
Kujtojmë që ish-Kryeministri Berisha të mërkurë tha se marrëveshja e 18 majit mes Ramës dhe Bashës ishte një arritje e shkëlqyer e PD-së, por që Rama e shiti si fitore të vetën dhe Basha nuk diti t’i bëjë avokatinë.
“Marrëveshja me Ramën nuk ishte objektivi im politik. Unë doja largimin e Ramës. Mirëpo, ishim në kushte kur elementë të BE-së po bënin thirrje për zgjedhje pa opozitën. Erdhën amerikanët dhe ofruan paketën McAllister +.
Unë isha i bindur se me Ramën nuk kishte zgjedhje të ndershme. Nëse PD dhe aleatët do të refuzonin paketën e fundit, SHBA-të do t’i bashkoheshin BE-së se mund të kishte zgjedhje pa opozitë.
Nëse ne do të vazhdonim me JO-në tonë nuk do të hynim në Parlament për herë të parë në demokraci. Kauzat tona do të izoloheshin dhe Shqipëria do të kthehej në vitin 1990 me një parti-shtet. Në këto kushte vendimmarrja ishte e detyruar”, tha Basha.
Basha: Berisha, një shkollë politike
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mbrëmë, ka theksuar se intervista e dhënë nga Sali Berisha ditën eb mërkurë ishte një shqetësim i drejtë, një analizë racionale dhe tepër e qartë.
Këtë deklaratë Basha e bëri në studion e “Opinion”, ndërsa tregoi se padyshim shërben për një reflektim për hapat që duhet dhe do të hidhen, duke nisur që nga kjo javë dhe ditët e muajt në vazhdim, për t’i dhënë Shqipërisë një opozitë ashtu siç e meriton vendi.
“Absolutisht që e kam lexuar të plotë intervistën e Sali Berishës, ka marrë vëmendjen që meritonte të merrte. Është një intervistë që shpreh shqetësime të drejta për gjendjen e Shqipërisë, për situatën e opozitës dhe Partinë Demokratike, të cilat padyshim shërbejnë për një reflektim për hapat që duhet dhe do të hedhim duke nisur që nga kjo javë dhe ditët e muajt në vazhdim për t’i dhënë Shqipërisë një opozitë ashtu siç e meriton vendi. Ishte një intervistë analitike, racionale dhe tepër e qartë”.
Basha është shprehur se edhe pas disa kritikave nga ana e ish-Kryeministrit Sali Berisha ai nuk do të distancohet prej tij. Basha tha se kritikat e Berishës qëndrojnë dhe se intervista dy ditë më parë ishte një analizë e mirë e gjithë problemeve në PD. Por Basha tha se nuk distancohet prej Berishës pasi ai është “shkolla më e mirë politike” për PD dhe Edi Ramën në këto 27 vite.
“Unë nuk distancohem nga Berisha. Pse duhet të distancohem nga Berisha? E para, e punës si një pjesë e mirë e drejtuesve si të Partisë Demokratike ne jemi investimet politike të Sali Berishës dhe jo vetëm për ne, por edhe për Edi Ramën Sali Berisha ka qenë shkolla politike e këtij vendi në këto 27 vite. Unë kam qenë krah Berishës dhe pjesë e ekipit të tij përgjatë qeverisjes. Ideja e distancimit nga Berisha është ide diabolike dhe boshe”, u shpreh Lulzim Basha.
Mediat në një presion të fortë nga Rama
Basha deklaroi se Rama ka ndërtuar një marrëdhënie bizantine dhe orientale me mediat. Basha deklaroi se media shqiptare gjendet në një presion të jashtëzakonshëm, një presion korruptiv dhe shantazhues nga Rama dhe qeveria që ai drejton.
Sipas tij, sulmi që i bëhet mediave nga kryeministri i Shqipërisë është diabolik, për arsyen se Rama sulmon në të shumtën e rasteve ato media që kontrollon.
“Nëse media është kazan, atëherë është kazan i tij”, tha Basha.
“Media shqiptare sot është në një presion të jashtëzakonshëm, në një presion korruptiv dhe shantazhues nga Edi Rama dhe nga qeveria e tij, ka nisur tani e katër vjet më parë, të gjithë e dimë këtë. Sulmi që i bëhet mediave nga Edi Rama, pse është diabolik, sepse ai sulmon në të shumtën e rasteve ata që i kontrollon. Media nëse është kazan, është kazan i tij. Kjo është një marrëdhënie bizantine dhe orientale dhe antieuropiane që ai ka ndërtuar me mediat”, tha Basha.
Jashtë nga PD kush ka votuar Ruçin
Basha deklaroi se ata dy deputetë që kanë lëshuar votën për kandidaturën e Gramoz Ruçit për kryetar Kuvendi, nuk kanë më vend në PD. Basha tha se kjo ngjarje është njëra anë, tjetra është se u shndërrua në një ngjarje mediatike për të fshehur diçka të tmerrshme, që sot, në krye të Kuvendit ke një njeri që është përfaqësuesi më i kobshëm i regjimit komunist.
“Të vendosësh një njeri që është me rreth të kuq nga partneri më strategjik për lidhjet e denoncuara edhe publikisht me krimin e organizuar dhe trafiqet. Ky nuk është i vetmi, është dhe Fatmir Xhafa”, tha Basha.
Demokrat nuk të bën lista. Refletim për listën
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se listat nuk të bëjnë demokrat. Ai ka kujtuar se opozicioni bëhet sot në kushte të vështira. “Të jesh demokrat nuk do të thotë të jesh patjetër deputet. Këtë them unë. Nuk mund të bëhen të gjithë demokratët deputetë. Ky është mesazhi im. Deputetët maksimalisht janë 140, demokratët me qindra mijëra”, tha Basha.
Basha është shprehur se pas rezultatit në zgjedhjet e 25 qershorit ka reflektuar lidhur me emrat që vendosi në listën e kandidatëve për deputetë në PD. Pyetjes së gazetarit Fevziu se, a jeni penduar për listën e deputetëve të PD-së, Basha u përgjigj se nuk është penduar, por ka reflektuar. Më tej, Basha ka deklaruar se kjo është hera e fundit që listat i bën kryetari i partisë. “Nga këtej e tutje vendimmarrja do t’i takojë jo thjesht forumeve, por anëtarësisë së Partisë Demokratike”.