Efektivi i policisë dekonspiron operacionin për arrestimin e grabitësve

Një efektiv i repartit “Shqiponja“ është zbuluar nga Prokuroria për dekonspirimim të operacioneve të policisë. Engrid Hënaj, me detyrë trup shërbimi në repartin “Shqiponja”, është arrestuar nga policia pas kërkesës së Prokurorisë për bashkëpunim me grabitësit duke dekonspiruar operacionet e policisë.
Në një njoftim të sajin, Prokuroria e Kavajës sqaron se kishte nën hetim Fation Lilën, i dyshuar për vjedhje në bashkëpunim, me pasoja të rënda. Ai dyshohej se në bashkëpunim me persona të tjerë, kishin vjedhur tre automjete në një kompleks magazinash në Kavajë. Ndaj tij, me kërkesë të Prokurorisë së Kavajës, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”, vendim i cili për disa kohë nuk u bë e mundur të ekzekutohej, pasi ai fshihej.
Gjatë kohës që ka qenë në kërkim, ai komunikonte shpesh me një punonjës policie, i cili më pas rezultoi se ishte Engrit H. Ky i fundit e informonte të kërkuarin që në fazat e para të hetimit për vjedhjen, pra që në momentin kur ndaj tij nuk kishte dalë akoma masa e sigurimit.
Në komunikimet telefonike ndërmjet tyre, punonjësi i policisë ishte i pari që e informoi se emri i Fation Lilës ishte ndër të dyshuarit kryesorë për vjedhjen e automjeteve. Gjithashtu, punonjësi i policisë e informoi që ndaj tij kishte dalë masa e sigurisë “arrest me burg”.
Pas disa javësh, Policia e Kavajës arrestoi Fation Lilën dhe ndaj tij tashmë ka nisur procesi gjyqësor pranë Gjykatës së Kavajës.
Ndërkohë, Prokuroria vijoi hetimet për personin që e informonte Lilën gjatë kohës që ai ishte në arrati. Në bazë të veprimeve proceduriale, rezultoi se ai ishte shtetasi Engrit H., i cili ishte punonjës policie pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Në këto kushte, Prokuroria e Kavajës kërkoi caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për shtetasin Engrit H., e cila u pranua nga gjykata dhe u zbatua nga ana e SHÇBA-së.

Artikulli paraprakProkuroria kundër policisë për sekuestrimin e pasurive
Artikulli tjetërGrabitësit e veshur si policë dhunojnë kryefamiljarin dhe grabisin 30 milionë lekë