Tre persona të armatosur dhe të maskuar e të veshur si policë kanë grabitur rreth 30 milionë lekë në banesën e një tregtari peshku në Kavajë. Burime nga policia thanë se, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, rreth orës 04:20, në lagjen Nr. 1, Kavajë, në banesën e shtetasit Adem Kola. Tre grabitësit e maskuar dhe të veshur si policë janë futur nga dritarja e shtëpisë dhe pasi kanë lidhur burrë e grua kanë kontrolluar në banesë për të gjetur paratë.
Grabitësit kanë ushtruar dhunë ndaj dy bashkëshortëve për të treguar se ku ndodheshin paratë. Njëri nga grabitësit ka goditur me pistoletë pronarin e banesës, i cili ka marrë lëndime të lehta.
Sipas policisë, Kola merret me tregtimin e peshkut, një aktivitet që i sillte dhe të ardhurat. Forcat e policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Tregtari i grabitur dhe dhunuar nga 3 personat e kamufluar si policë ende të paidentifikuar në lagjen numër 1 të qytetit të Kavajës ka rrëfyer momentet e tmerrit që ka përjetuar. Në një prononcim për mediat, biznesmeni i tregtimit të peshkut, Adem Kola tha se 3 persona të veshur me rroba policie dhe maska i kanë hyrë në shtëpi, duke i grabitur 20 milionë lekë të vjetra dhe 5 mijë euro.
“Erdhën 3 persona, mos luaj, mos luaj më thanë. Unë s’kam armë, kam qenë sekretar partie për 30 vjet. Më kapën dhe më lidhën. Ata ishin të maskuar dhe me rroba policie. Ishte ora rreth 4:00 mëngjesit. Ata hynë nga penxherja dhe erdhën nga shkallët. Mos luaj se do të vrasim më thanë. Më qëlluan në kokë. Duam lekët më thanë… Më morën 20 milionë lekë dhe 5 mijë euro”, tha ai.