Basha: Dy shtyllat kryesore të çdo qëndrimi të PD-së

Integrimi europian dhe interesi kombëtar do të jenë dy shtyllat që do të ndjekë Partia Demokratike në çdo qëndrim politik të saj.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti dje në takim zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, me të cilin diskutoi mbi zhvillimet politike në Shqipëri, Kosovë, qëndrimet politike të Partisë Demokratike, sfidat që presin të dy vendet përpara, rëndësinë e bashkëpunimit midis dy vendeve, në veçanti bashkëpunimit ekonomik etj.
Takimi u zhvillua në një frymë vëllazërore dhe u diskutuan çështje të interesit të përbashkët.
Basha uroi Pacollin për detyrën e rëndësishme dhe e siguroi se, Partia Demokratike do të jetë në mbështetje dhe në bashkëpunim të plotë me qeverinë e re të Kosovës dhe i uroi sukses në përballimin e sfidave të shumta në interes të Kosovës dhe popullit të saj.
Basha bëri një panoramë të zhvillimeve politike në Shqipëri, ku vuri theksin te nevoja jetike për stabilitetin dhe të ardhmen europiane të vendit, ku me rëndësi kyçe janë zgjedhjet e lira e të ndershme. Basha theksoi se për Partinë Demokratike, integrimi europian dhe interesi kombëtar do të jenë shtyllat kryesore të çdo qëndrimi të PD-së.
Basha theksoi se mbështet dhe nxit integrim sa më të thellë mes Shqipërisë dhe Kosovës, në këtë kuadër përshëndet vullnetin për bashkim doganor, por theksoi se kjo bëhet me një angazhim të thellë e të plotë dhe jo sipërfaqësor.
Basha theksoi se Partia Demokratike do të mbështesë me çdo kapacitet diplomacinë e Kosovës me sfidat e saj ndërkombëtare të anëtarësimit në organizmat ndërkombëtarë.
Ndërkohë lajmi i takimit të Bashës me Pacollin është publikuar edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Kosovës. “Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka shprehur kënaqësinë e tij lidhur me takimin me zëvendëskryeministrin e Parë dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, si dhe ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar në të gjitha proceset, nëpër të cilat po kalon Kosova.
Basha, gjithashtu, ka theksuar nevojën e thellimit të bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe ka kërkuar heqjen e barrierave tregtare, si dhe lehtësimin e lëvizjeve kufitare.
Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, gjatë takimeve me liderin e Partisë Demokratike ka përkrahur idenë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik përmes krijimit të pikave të përbashkëta doganore, sikurse ajo në Durrës, si dhe lehtësimin e lëvizjes së lirë të shtetasve nga të dyja anët”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

 

Artikulli paraprakBerisha-Pacolli: Heqje e barrierave dhe hekurudhë Milot-Prizren
Artikulli tjetërPD: Komision Ad Hoc për votimin elektronik