Një tjetër hap i madh i futbollit kosovar pas pranimit në UEFA më 3 Maj në kongresin e qeverisë së futbollit europian që u zhvillua në Budapest të Hungarisë. Këshilli i FIFA-s ka pranuar kërkesën e Federatës së Futbollit të Kosovës, që ajo të shqyrtohet në kongresin e radhës të institucionit më të rëndësishëm të futbollit botëror që do të mbahet më 13 maj në Meksikë. Lajmi është konfirmuar nga përfaqësuesi gjerman i Këshillit të FIFA-s, Wolfgang Niersbach, pas mbledhjes së grupit të ekspertëve. Kërkesës së Kosovës i bashkangjitet edhe ajo e Gjibraltarit, që vetëm një ditë më parë kishte fituar gjyqin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv për pranimin e kërkesës për anëtarësim në FIFA.
Tashmë u takon 209 anëtarëve të FIFA-s të vendosin nëse Kosova dhe Gjibraltari do të pranohen në familjen e madhe të Futbollit Botëror. Ashtu sikurse në votimin e zhvilluar në Kongresin e UEFA-s, për pranimin e Kosovës në FIFA kërkohet një shumicë e thjeshtë, 50% plus një anëtar, që shteti më i ri europian të aderojë në organizim më të lartë të futbollit. Nëse kjo ndodh, çka është e pritshme në këtë kongres, atëherë Kosova do të marrë pjesën në elimintoret e Botërorit “Rusi 2018” që do të nisin në muajin shtator.