Basha: Rama të ndalë barbarinë në Shkozë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka bërë thirrje qeverisë të ndalë prishjen e shtëpive në Shkozë pa siguruar më parë perspektivë strehimi për 153 familje. Basha thotë se ajo çfarë po ndodh me këto familje është krim dhe barbari. Sipas Bashës, Edi Rama ju premtoi legalizim dhe shpronësim para zgjedhjeve, por tani i godet si pushtues. Kryedemokrati kërkon të shqyrtohet rikthimi te projekti fillestar i rehabilitimit të Lanës, i cili sipas tij parashikonte prishje minimale përkundër shpronësimit me vlerë tregu. “Krim dhe barbari në Shkozë! 153 familje nxirren me forcë nga shtëpitë e tyre në mes të katër rrugëve. Edi Rama ju premtoi legalizim dhe shpronësim para zgjedhjeve. Tani i godet si pushtues! Duke dënuar me ashpërsi këtë krim çnjerëzor, ju bëj thirrje forcave të rendit të ndalin menjëherë keqtrajtimin e bashkëqytetarëve të tyre që po mbrojnë strehën familjare. Të ndalë prishja e shtëpive pa siguruar asnjë perspektivë strehimi për 153 familje. Të shqyrtohet rikthimi te projekti fillestar i rehabilitimit të Lanës, i cili parashikonte prishje minimale përkundër shpronësimit me vlerë tregu. Ndal barbarisë dhe verbërisë ndaj fateve të njerëzve!”, shprehet Basha.

Artikulli paraprakSi i manipuloi deputetja e PS-së banorët e Shkozës
Artikulli tjetër30 shkencëtarë europianë protestë në mbrojtje të Vjosës