Për Juventusin pengesa e radhës është Fiorentina. Pas spektaklit që dhuroi Paolo Dybala në transfertën ndaj Sasuolos, bardhezinjtë do të mirëpresin brenda në shtëpi Fiorentinën. Tekniku i “Zonjës së Vjetër” Massimiliano Allegri në konferencën për shtyp kërkoi nga futbollistët vëmendje maksimale. Sipas tij gabimet nuk tolerohen, si dhe paralajmëroi se do të ketë disa ndryshime në formacion.
“Kundër Fiorentinës në mënyrë absolute nuk na lejohen hapat falsë. E dimë shumë mirë që përballë do të kemi një kundërshtar të vështirë, i cili e nisi kampionatin jo mirë, por në javët e fundit kanë arritur të korrin dy fitore radhazi. Përsa i përket formacionit do të ketë ndryshime. Szzensy do të luajë në vend të Buffon për pjesën tjetër nuk kam vendosur, pasi duhet të shoh gjendjen e tyre”.
Më pas tekniku bën dhe një vlerësim për disa prej futbollistëve duke filluar që nga Bernadeschi, si dhe jep shpjegime për gjendjen e Khediras dhe mbrojtësit De Sciglio.
“Për ta parë Bernadeschin titullar nuk është herët. Ndoshta mund ta nisë që nga minuta e parë ose të aktivizohet gjatë lojës. Nuk dua të nxitohem pasi nuk dëshiroj që të rrezikoj asnjërin prej futbollistëve. De Sciglio nuk do të jetë i gatshëm, për krahun e djathtë po mendoj për njërin mes Howedes dhe Lichsteiner. Khedira po vazhdon fazën e rikuperimit, por ende nuk është 100% të formës”.
Në fund Allegri flet edhe për sulmin. Mungesa e golave nga ana e Higuain për numrin një të solit të bardhezinjve është thjesht diçka kalimtare dhe se argjentinasi do të rikthehet shpejt në ditët e tij më të mira.
“Higuanit i ndodhi edhe në sezonin e kaluar të kishte një start jo të mirë, e njëjta gjë i ndodhi dhe Dybala-së, për një kohë të gjatë nuk arrinte dot të shënonte. Nëse Higuain nuk arrin dot të finalizojë për disa takime nuk është ndonjë tragjedi e madhe, ai është shumë i rëndësishëm për Juventusin, duhet të qëndrojë i qetë, sepse shumë shpejt do t’i kthehet golave”.