Ambientalisti Sazan Guri ka reaguar dje në lidhje me pallatin tek diga e liqenit artificial për të cilin kryebashkiaku Erion Veliaj ka protestuar kundër gjykatave pasi i ka dhënë të drejtë një firme private. Guri ka kujtuar kohën kur ai ka dalë kundër këtij vendimi, për ndërtimin e këtij pallati, që ishte miratuar me lejen e ish-kryebashkiakut, tani kryeministër i vendit, Edi Rama. “Për të sqaruar të gjithë qytetarët sesi u ndërtuan pallatet nën digë, në mbledhjen e KRRTRSH-ja të Republikës së Shqipërisë nëntor 2006, zona nën digë në shërbim të parkut,u kthye në zonë urbane, ku menjëherë Sazan Guri dhe arkitekti i ndjerë Agron Jano kemi kundërshtuar për këtë ndryshim destinacioni.
Kjo ka dalë me vendim nr.4 nga KRRTR-sh. Vendimi që i dha vulë kësaj zone është vendimi nr. 81 në dhjetor 2007, i Këshillit Bashkiak të Tiranës me nënkryetar Z.Rama, sipas të cilit u stis edhe projekti holandez me 16 pallate nga 20-33 kate, të cilin e kundërshtuam me forcë dhe e fituam atë betejë. Ky projekt holandez me pallate të pjerrëta do të qëndronte mbi digë dhe nën digë. Pas një periudhe qetësie, u rigjallëruan kërkesat për ndërhyrje, ku u punua nga grupet e biznesit nga të cilët u mor firma për digën, ku dhe e arritën qëllimin duke ndryshuar njëpasnjë anëtarët e Komitetit te digave si: Prof.Farudin Hoxha, prof Kristo Goga, Prof. Stavri Ristani (ndjesë paste), etj, dhe siguruan një vendim nga ky Komitet.
Më pas, kryetari i bashkisë Z.Basha me dy vendime (nga KRRTRSH-ja dhe nga ish-kryetari I bashkisë Z.Rama), sëbashku me vendimin e Komitetit te digave, normal që detyrohet të japë lejet për digat përkatëse që përbën vendimin e tretë. Vendimi final është i kryetarit aktual si kryetar i KKT-së që jep dritën e fundit për këtë sipërmarrje, ku prej dy vitesh që në ditën e pare të tabelës, me pak ose shumë persona deri në një të vetëm, e kemi kundërshtuar me mbi 20 protesta civile te shoqëruara me ndjekje televizive”, shkruan Sazan Guri në një reagim të tij.