Katër ditë pas aksidentit tragjik ku humbën jetën 2 fëmijë, rruga dytësore e aksit Plepa-Kavajë-Rrogozhinë vijon të jetë e hapur pa barrierat mbrojtëse me autostradën, për të favorizuar një karburant të një zyrtari të lartë të Ministrisë së Transporteve. Sipas dokumentave, Gjykata Administrative Tiranë ka rrëzuar heqjen e mbrojtëseve anësorë të autostradës për të favorizuar pikën e karburantit.
Në mars të 2011 Gjykata e Kavajës urdhëroi kompaninë ndërtuese të pezullonte punimet për vendosjen e barrierave të sigurisë. Ndërsa në qershor të 2013-ës Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë do t’i jepte të drejtë shoqërisë “Pienvis” të mbante të hapur kalimin pa barriera siguruese për lidhjen e autostradës me rrugën dytësore në mënyrë që automjetet të lëviznin për furnizim në një pikë karburanti pronë e kompanisë “Pienvis”. Por ky vendim prishej rreth një vit më vonë nga Gjykata Administative, e cila gjithashtu vendosi edhe pushimin e gjykimit të çështjes. Ndërkohë Prokuroria e Kavajës, e cila ka nisur hetimet kryesisht pritet të marrë në pyetje në ditët në vijim zyrtarë përgjegjës për menaxhimin e rrugës për të zbuluar se përse rruga, nuk është mbyllur me barrierat e sigurisë pas vendimit të Gjykatës së Apelit Administrativ.