Vritet me armë 42-vjeçari në Dibër, mister shkaqet

 

Një 42-vjeçar u vra mëngjesin e djeshëm me armë zjarri në Peshkopi. Alban Kaloshi, i njohur ndryshe si Gëzim Kaloshi, 42 vjeç, me banim në fshatin Blliçe të Dibrës është dërguar në spital i vdekur rreth orës 03:30. “Dy persona ende të pa identifikuar nga Policia kanë çuar në Urgjencën e Spitalit pa shenja jete shtetasin A.K, dhe janë larguar pa u identifikuar në Urgjencën e Spitalit”, informoi Policia e Dibrës.
Eksperti mjeko-ligjor që këqyri trupin e viktimës tha paraprakisht se, vdekja i ka ardhur nga një plumb në kraharor. Policia bëri të ditur se, ka sekuestruar telefonin e viktimës, aty ku shpreson të gjejë ndonjë gjurmë, që të çojnë tek motivet e vrasjes së tij, apo autorët e mundshëm.
Policia e Dibrës thotë se, po punon intensivisht për të zbuluar identitetin e dy personave që e dërguan Kaloshin të pajetë në Urgjencën e Spitalit dhe u zhdukën më pas. Grupi hetimor ka nisur sakaq edhe shoqërimin e personave, me të cilët dyshohet të jetë shoqëruar dibrani gjatë orëve të mbrëmjes.
Dje pasdite, Policia e Peshkopisë gjeti makinën e 42-vjeçarit i cili u vra me plumb në kraharor. Me këtë makinë, sipas informacioneve të besueshme është bërë dhe transportimi i viktimës për në spitalin e qytetit. Mjeti tip “Benz” u gjet në periferi të Peshkopisë, ndërsa nuk janë identifikuar ende dy personat që u paraqitën në spital me të vrarin Alban ose ndryshe Gëzim Kaloshi.
Të njëjtat burime tregojnë se 42-vjeçari Kaloshi, ish-pronar i një pike bastesh, është qëlluar me plumb në kraharor nga të tjerë persona dhe pse ende nuk është përjashtuar pista e një vrasjeje aksidentale. Kaloshi nga Blliçe i Peshkopisë, njihej si person pa probleme apo precedentë të mëparshëm penalë.
Policia tha se, ka shoqëruar disa persona që kanë qenë të shoqëruar me viktimën në orë të ndryshme të mbrëmjes së djeshme, por pa mundur të identifikojë autorin e vrasjes. Për të zbuluar më shumë mbi vdekjen e 42-vjeçarit, po bëhet këqyrja e telefonit, si dhe po punohet për identifikimin dhe shoqërimin e personave që kanë çuar në spital viktimën.

Artikulli paraprakPlagoset me thikë një punonjës policie në Tiranës
Artikulli tjetërNgrihet trau, tani taksë 10 euro lëvizjes së shqiptarëve