Vitesse mposht Ajaxin

 

Fitore e madhe e Vitesses nën shenjën e Milot Rashicës. Skuadra nga Arnhemi bëri suprizën në javën e 6-të, pasi mposhti 2-1 brenda në Amesterdam Ajaxin që ngeci sërish pas barazimit ndaj Den Haag një javë më parë, duke u larguar më shumë kreun e renditjes. Kashia ndëshkoi harkëtarët në minutën e 21-të, ndërsa në minutat shtesë të pjesës së parë skena ishte e gjitha për Milot Rashicën. Futbollisti shqiptar që luan për përfaqësuesen e Kosovës, në minutat shtesë të pjesës së parë finalizoi me sukses një kundërsulm të Viteses, duke realizuar një gol të bukur për t’i çuar shifrat në 0-2. Ajaxi u kujtua shumë vonë për t’u kthyer në ndeshje, sepse goli i Viergever në të 83-ën vlejti thjeshtë për statistika.
PSV Eindhoven shpërthen me një tërmet 7 ballësh në transfertën e Galgenwaard Stadion përballë Utrecht-it për të kryesuar e vetme Eredivisien pas 6 javëve të para. Skuadra e Philip Cocu triumfoi me shifrat e thella 7-1, duke konfirmuar momentin e mirë që po kalon dhe duke u ngjitur në kuotën e 15 pikëve, 1 më shumë se Herenveeni i vendit të 2-të. Sfida nisi më mirë për Utrechtin, por vendasit, të cilët goditën edhe traversën në minutat e para nuk shfrytëzuan siç duhet rastet që patën dhe në të 15-ën Locadia i dha epërsinë PSV-së. Utrechti megjithatë barazoi shifrat me penalltinë e kthyer në gol nga Labyad në të 21-ën. Por vetëm kaq për vendasit në këtë sfidë, sepse më pas gjithçka u dominua nga PSV Eindhoven. Në të 40-ën sulmuesi meksikan Hirving Lozano kaloi sërish në avantazh ekipin e Philip Cocu. Pas pushimit midis dy pjesëve, PSV-ja ishte thjeshtë e papërmbajtshme, pasi shënoi edhe 5 herë të tjera, duke përmirësuar ndjeshëm goleavarazhin. Në minutat 49-të dhe 69 ishte Locadia që realizoi edhe dy herë të tjera. Më pas, Van Ginkel dhe sërish Locadia që shënoi golin e 4-t personal nga pika e bardhë e penalltisë e çuan rezultatin në 1-6, përpara se të mbyllte gjithçka Bergëijn me golin e tij në të 90-ën.

Artikulli paraprakBomba në Londër, Trump ashpërson masat në SHBA
Artikulli tjetërInzagi elozhe Strakoshës