Bizneset shqetësohen se pas liberalizimit mund të humbasin personelin

Liberalizimi i vizave për Kosovën, përveç të mirave dhe lehtësimeve që sjell për lëvizjen e lirë të qytetarëve, ka ngritur edhe një shqetësim te komuniteti i biznesit, ngase ka rritur drojën për humbjen e punëtorëve të kualifikuar në kompanitë e tyre. Pronarë të disa kompanive private në Kosovë, tregojnë se ka zëra në kompani, që menjëherë pas zbatimit të këtij procesi në praktikë, punëtorët do të shkojnë në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian në kërkim të pagesave më të mëdha për punën e tyre.
Pronari i kompanisë “Frutex” nga Suhareka, Shaqir Palushi, në një prononcim për Radion “Evropa e Lirë”, thotë se procesi i liberalizimit ishte i nevojshëm. Por, sipas tij, heqja e vizave rrezikon largimin e punëtorëve.
Palushi thotë po ashtu se disa punëtorë do të kërkojnë mundësi për të gjetur një vend pune për 90 ditë, me çka do të rrezikohej puna në kompaninë që ai drejton.
“Për qytetarët e Kosovës, liberalizimi i vizave është një lajm i mirë, mirëpo do të ketë një dridhje të vogël për kompanitë, sepse shumica e qytetarëve të Kosovës, nëse jo për punë, kanë familjarë në vendet e Bashkimit Evropian. Kjo paraqitet problem për kompanitë nëse mungon një numër i caktuar i punëtorëve”, ka thënë Palushi.
Shqetësimin për mundësinë e mbetjes pa kuadro profesionale në kompanitë private pas liberalizimit, i paraqet edhe Lulzim Mustafa, nga kompania për prodhimin e lëngjeve “Fluidi”, në Gjilan, kompani kjo që numëron rreth 140 punëtorë.
Mustafa tregon se largimi eventual i stafit të kualifikuar do të paraqiste problem, pasi gjithmonë nevojitet kohë për të aftësuar punëtorët e rinj.
“Në rast se punëtorët e shfrytëzojnë pushimin vjetor për të shkuar në vendet e BE-së, është normale. Por, nëse një punëtor shkon për 90 ditë, i shkëputet kontrata. Ne nuk kemi mundësi të presim, sepse nëse një punëtor është i angazhuar në makinë, ne nuk mund të presim 90 ditë, pasi që do të mbesim pa prodhim. Ky është problem, ngase për të aftësuar një punëtor të kualifikuar nevojitet dy deri në tre muaj”, ka thënë Mustafa për Radion “Evropa e Lirë”.
Për një largim eventual të punëtorëve dhe çrregullim të tregut të punës, flet edhe Shpëtim Kuqi, administrator në Fabrikën për Prodhimin e Këpucëve, “Solid” nga Suhareka.
“Një brengë do të jetë shumë e madhe për ne, është ikja masive e fuqisë punëtore që kemi në kompani. Kurse sa i përket liberalizimit kjo është lehtësi, pasi ne papritur në ambasada të ndryshme kemi mundësi që punëtorët t’i dërgojmë në trajnime të ndryshme në vendet e Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Kuqi.
Frika e punëdhënësve se mund të mbesin pa kuadro profesionale, në disa raste është pozitive për punëkërkuesit. Shaqir Palushi, thotë se për të parandaluar shkuarjen e punëtorëve, pronarët do të detyrohen të rrisin pagat.
“Por, ndoshta kjo do të jetë një mundësi e mirë për punëtorët e Kosovës, pasi ne si punëdhënës, në njëfarë mënyre, do të detyrohemi t’i rrisim pagat, në mënyrë që të sigurohemi që punëtorët të cilët janë më të kualifikuar të mbesin në kompanitë tona”, ka thënë ai.
Sidoqoftë, me gjithë shqetësimet e kompanive të biznesit për humbjen e disa kuadrove të kualifikuara, liberalizimi i vizave, është vlerësuar se do të sjellë lehtësira për sektorin privat, pasi mundësitë janë më të lehta që punëtorët e tyre t’i dërgojnë për trajnime apo panaire të ndryshme në vendet e Bashkimit Evropian.

Artikulli paraprakKosova plan dinamik për zhvillimin e sektorit financiar
Artikulli tjetërInteresat zbresin në minimumet historike, humbasin qytetarët, përfiton qeveria