Vokshi: Në Tiranë qeverisin pasardhësit e komunistëve

Deputetja e Partisë Demokratike, njëherësh kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas, ndodhej në Sarajevë, në konferencën rajonale mbi temën “Të drejtat e grave në Evropë dhe Ballkan”. Në fjalën e saj në këtë konferencë, Vokshi u shpreh se në Shqipëri disa të drejta kushtetuese të femrave nuk respektohen, ndërsa përmendi: të drejtën për arsim, të drejtën për shërbime sociale e shëndetësore, atë të strehimit apo edhe të drejtën e pronës. Për të bërë sa më të prekshëm këtë realitet, Vokshi solli në vëmendje rastin me banorët e Shkozës, ku ajo tha se janë keqtrajtuar gratë dhe fëmijët në shkelje të hapur të Konventave Europiane dhe Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, të miratuara nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara më 1966. Ndërkohë tha se Banka Botërore dhe INSTAT, si dhe organizma të tjerë ndërkombëtarë, kanë ngritur alarmin për ngritjen e nivelit të papunësisë, varfërisë, si dhe rëndimin e statusit të grave në Shqipëri. “Shumë gra dhe vajza kanë humbur shpresën për jetën. Mediat europiane flasin për një eksod trishtues të fëmijëve shqiptarë drejt Europës me dijeni të prindërve të tyre, të cilët nuk gjejnë rrugë tjetër si t’i shpëtojnë nga varfëria. Mbi 56% e shqiptarëve, të tronditur nga traumat e varfërisë në familje, planifikojnë të lënë Shqipërinë dhe të kërkojnë një jetë më të mirë diku në Evropë e Amerikë”, deklaroi deputetja Vokshi. Vokshi u ndal edhe tek braktisja e vendit nga shqiptarët në tentativë për të gjetur kushte më të mira jetese. Deputetja u shpreh se shifrat e largimit të shqiptarëve janë alarmante, edhe pse nuk ka luftë ka keqqeverisje, e kësisoj shqiptarët detyrohen të lënë gjithçka e të largohen. Më tej, ajo deklaroi se në Shqipëri 90% e kabinetit qeveritar janë pasardhës biologjikë të ish-udhëheqësve të diktaturës. “Sot në 90 përqind të kabinetit qeveritar dhe të institucioneve të larta shtetërore në detyrë janë pasardhësit biologjikë të Byrosë famëkeqe Politike të diktatorit Enver Hoxha që urdhëruan: vrasjet, burgosjet dhe torturat e mijëra intelektualëve dhe patriotëve shqiptarëve që kundërshtonin regjimin komunist. Në këtë betejë me të keqen, gratë mbeten viktima nëse askush nuk i përkrah, nëse ne të gjitha bashkë nuk mblidhemi për të gjetur rrugët si të bëhemi barrikadë e sistemeve që shtypin e përçmojnë njerëzimin e që blejnë edhe vendimmarrjet në Bruksel”, theksoi ajo.

Artikulli paraprak90 milionë euro import energjie, por OSHEE del në treg edhe për nëntor-dhjetorin
Artikulli tjetërRriten sërish kërkesat për azil në BE