Sadiku dygolësh për mbijetesën e Vaduzit

Armando Sadiku është heroi i javës së 32 në Kampionatin zviceran për skuadrën e Vaduzit. Sulmuesi shqiptar shënoi dy golat e fitores së skuadrës së tij në suksesin e pastër 2-0 të arritur ndaj Sionit. Vaduz në luftë për mbijetesën e interpretoi ndeshjen në mënyrën më të mirë, duke e gjetur golin e parë në minutën e 31, kur bomberi kuqezi ndali në rrjetë 11-metërshin e ekzekutuar me saktësi.
Sulmuesi i lindur në Elbasan nuk u mjaftua me kaq, pasi ishte sërish ai që siguroi 3 pikëshin e Vaduzit me një tjetër gol të shënuar në minutën e 73. Fitorja e arritur ndaj Sionit në “Rheinpark Stadion” e largon përkohësisht Vaduzin nga zona e ftohtë me një pikë më shumë se Lugano, që mbyll klasifikimin me 28 pikë. Ky është dygolëshi i dytë i Sadikut me fanellën e Vaduzit, ndërsa gjatë këtij sezoni, 24-vjeçari shqiptar numëron 12 realizime personale.

Artikulli paraprakManaj titullar në Sassuolo-Inter
Artikulli tjetërAnçeloti këshillon Gotze të largohet nga Bayern