Irritohet Wenger!

Për Arsene Wenger kalendari i ngjeshur i ndeshjeve të Topçinjve mund të quhet i “pashpirt” për grupin e tij, duke qënë se vetëm ditën e hënë ata luajtën në Premier League e tashmë duhet të përballen me Bate Borisov në Europa League. Superblerja e Arsenalit, Alexander Lacazette i siguroi fitoren 2-0 ekipit të Wenger përballë West Bromit, por koha e shkurtër nga takimi i fundit i lë shumë pak hapësirë Arsenalit për t’u rikuperuar, përgatitur dhe udhëtojë drejt Bjellorusisë ditën e enjte.
“Duhet të vendos formacionin për ndeshjen e radhës, por e kam të vështirë pasi axhenda jonë është mjaft e ngjeshur. Luajtëm ditën e hënë në kampionat, luajmë të enjten në Europa League dhe do të luajmë të dielën sërish në kampionat në orën 12 të drekës përballë Brightonit. Mund të ishte organizuar ndryshe e gjitha kjo, por gjithsesi, na duhet ta pranojmë. Dua një ekip të mirë për në Bjellorusi. Do të shkoj me lojtarët që kanë më shumë eksperiencë në fushë, të rinjtë në stol. Koha që kemi në dispozicion për t’u përgatitur është shumë e shkurtër, por për këtë vendos televizoni me të drejtat e transmetimit”, u shpreh Wenger.
Arsenali u rendit në vendin e pestë të klasifikimit sezonin e shkuar, ndërkohë që këtë edicion e ka nisur me këmbë të mbarë kompeticionin e Europa League me fitoren 3-1 ndaj Këlnit, ndërkohë që në Premier League aktualisht renditet në vendin e shtatë, me tre fitore, një barazim dhe dy humbje nga totali i gjashtë ndeshjeve që ka zhvilluar deri më tani.
Arsenali nuk e humbi mundësinë për të fituar terren në javën e 6 të Premier League. E hëna e futbollit anglez dhuroi një ndeshje të luftuar në “Fly Emirates” ku skuadra e Arsene Wenger djersiti shumë për të dalë me një fitore të pastër 2-0 edhe pse WBA nuk ia bëri aspak të lehtë misionin. Trajneri francez hodhi në fushë armatën e rëndë duke mos hequr dorë nga yjet e tij dhe blerja e verës, Alexandre Lacazette ia shpërbleu me një gol që në minutën e 20.
Pavarësisht përpjekjeve të skuadrës së Tony Pulis, Arsenali arriti ta ruante të paprekur portën dhe në pjesën e dytë e rriti ritmin në kërkim të golit të dytë që e gjeti me 11-metërsh. Ish-sulmuesi i Lyonit mori përsipër ekzekutimin duke e ndalur sërish topin në rrjetë. Një sukses që e ngjit Arsenalin në vendin e 7 me 10 pikë, 1 më pak se Tottenham i vendit të katërt.

Artikulli paraprakE tregoj ndeshje pas ndeshje kush jam
Artikulli tjetërUEFA zgjedh trajnerët e Ligës së Kampioneve