Trajneri i Bajernit, Pep Guardiola ia dedikoi titullin rekord legjendës Jup Hajnkes, i cili u dha bavarezëve tripletën historike në vitin 2013 dhe është pjesë e këtij suksesi historik. “Jup, titulli është për ty! Uroj që të jesh edhe në festën tonë ditën e shtunë”, tha nga Ingolshtadi trajneri spanjoll. Për herë të parë në historinë e Bundesligës, një ekip gjerman fiton katër herë radhazi titullin kampion dhe këtë sukses e arriti Bajerni me Hajnkesin (2013) dhe Guardiolën (2014-2016).
Pas dedikimit dhe ftesës së Guardiolës ditën e shtunë, “Bild” ka arritur të sigurojë përgjigjen e Jup Hajnkesit nëpërmjet një interviste ditën e hënë. Në përfundim ish-trajneri gjerman ka uruar Guardiolën për suksesin, por e ka refuzuar ftesën e spanjollit për të qenë pjesë e festës së madhe. Për këtë jep edhe arsyet.
“Faleminderit për ftesën. Por, ai titull i përket Pepit. Jo vetëm se është titulli i katërt radhazi dhe rekord, por edhe titulli i lamtumirës”, deklaroi Jup Hajnkes, i cili ditën e hënë festoi edhe 71- vjetorin e lindjes. Më pas 71-vjeçari ndan sukseset e titujve rekord.
“Unë kam fituar vetëm çerekun, pasi tre i fitoi Pep. Vepra e tij duhet vlerësuar, pasi ka dhënë shumë për futbollin gjerman. Më vjen shumë mirë për të. Së bashku kemi relata shumë të mira. Jemi kuptuar direkt dhe shkëmbejmë shpesh mendime mbi futbollin. Shpresoj që të gjejmë kohë tjetër për t’u takuar sërish”, u shpreh Hajnkes.
Ish-trajneri ka dhënë edhe mendimet e tij mbi skualifikimin nga Champions-i si dhe sheh favorit ish-ekipin e tij në finalen e kupës. “Bajerni e meritoi të ishte në finale. Gaboi vetëm në një vend: Nuk shënoi gol Përgatiti: ENIAR IBRO në Madrid. Ky ka qenë një nga disavantazhet e mëdha në ndeshjen e kthimit. Atletiko bëri lojë të fortë dhe rezistoi me fat, pasi Bajerni mund të kishte shënuar golin e tretë. Në vija të përgjithshme e shoh si skualifikim aksidental”, analizoi Hajnkes duke shtuar në fund mbi finalen e kupës dhe Ançelotin: “Në finalen e kupës shanset janë 50 me 50. Lehtësisht mund të ndihet favorit Bajerni. Karlo? Kam respekt të veçantë. Bajerni gjeti zëvendësin ideal”.