Viti katastrofë i Rafa Benitez. Një sezon për t’u harruar ky, për trajnerin spanjoll. Në fillim dështimi në krye të stolit të Real Madrid, që u pasua me shkarkimin nga detyra për shkak të një sërë rezultatesh negative. Në momentin kur Benitez firmosi për klubin “Los Blancos”, trajneri u shpreh mjaft entuziast, duke theksuar se ishte rikthyer në shtëpi. Po aq i gëzuar për ardhjen e tij, ishte dhe presidenti i klubit merengeues Florentino Perez. Por, entuziazmi zgjati fare pak. Pas 5 muajsh 56-vjeçari u shkarkua nga stoli i Real Madrid dhe në vend të tij erdhi Zinedin Zidanë, i cili në një kohë të shkurtër arriti të dërgontë skuadrën në finalen e Champions League.
Nga Spanja në Angli. Benitez rikthehet pas shumë vitesh të drejtojë një skuadër në Premier League. Newcastle, rrezikon rënien nga kategoria dhe misoni i shpëtimit iu besua spanjollit. Në daljen e tij të parë përpara mediave britanike, Benitez ishte po aq entuziast sa në Madrid. Deklaroi se rikthehej në Angli për të qëndruar pranë familjes. Gjithashtu ai shtoi se ishte i bindur se do tja dilte mbanë në detyrën që i ishte ngarkuar. Rezultati? Një tjetër dështim për të. Newcastle bie nga Premier League. Duket se koha kur Benitez ishte një trajner triumfues ka përfunduar dhe e vetmja gjë që i ka mbetur është të bëjë një analizë të detajuar se çfarë nuk shkon në skemat e tij, në mënyrë që të rikthehet denjësisht në botën e futbollit.