Policia italiane në Asti ka arrestuar 2 të rinj shqiptarë ditën e mërkurë, pasi u kapën me 6 kilogramë kokainë. Ata janë A.L. 26 vjeç dhe P.A. 27 vjeç për shpërndarje të lëndëve narkotike. Ata janë ndaluar, pasi janë pikasur nga forcat policore si të dyshuar gjatë kohës që ishin duke ecur me një makinë me targa franceze.
A.L. gjatë momentit të kontrollit ka shfaqur nervozizëm dhe nuk ka justifikuar arsyen pse ishte në qytet, ndërsa P.A. dha disa justifikime jo bindëse në lidhje me praninë e tij në të njëjtën makinë me A.L. Kjo bëri që policia të bënte një kontroll më të imtësishëm të makinës, nga ku arritën të gjejnë 6 kilogramë kokainë të paketuar dhe me mbishkrimin “ASTI”, e cila ishte destinuar të shitej në disa qendra dhe sheshe qytetesh.
Ndërkohë, Policia italiane ka arrestuar një çift italian dhe një shqiptar për shpërndarje të lëndëve narkotike. 37-vjeçarit shqiptar me iniciale E.N policia arriti t’i sekuestronte në shtëpinë e tij 2 kilogramë kokainë të fshehura në dhomën e gjumit, të cilat i kishte ndarë në dy pako të ndryshme. Gjithashtu, policia siguroi si prova materiale edhe një pistoletë, 55 plumba dhe 9 mijë euro.
Ndërsa çiftit italian, 27-vjeçares V.R., si dhe bashkëshortit të saj G.C. policia arriti t’i sekuestronte në total 12 kilogramë marijuanë dhe 20 mijë euro. Policia arriti të vinte në gjurmët e të arrestuarve në momentin që agjentët kishin vënë re në Corvetto një “Nissan” të zi të dyshimtë me dy persona brenda. Më pas ka qenë shqiptari, i cili me një motor ka shkuar të takonte çiftin italian.
Policia arrestoi shqiptarin gjatë kohës që po ecte në San Guiliano. Aty, ata i sekuestruan 2 mijë euro që i kishte me vete dhe tre celularë, ndërsa më pas kanë shkuar në shtëpinë e tij ku i gjetën drogën, pistoletën, paratë dhe një makinë që numëronte paratë.
Mësohet se shqiptari E.N, përveç shpërndarjes së lëndëve narkotike kishte edhe precedentë të mëparshëm kriminalë si rrëmbim personi në vitin 1999 dhe për një vrasje.