Këshilli i Lartë i Drejtësisë dënon çdo formë presioni, që kryetari i Bashkisë Tiranë dhe një grup politikanësh, ushtruan, më datë 11 maj 2016, ndaj Gjykatës së Apelit Administrativ, lidhur me një çështje gjyqësore, e cila është ende në gjykim. Për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, këto akte dhe veprime të pamenduara si duhet, sjellin destabilizim të parikuperueshëm, për sistemin gjyqësor, pasi çdo palë ndërgjyqëse në një proces do t’i perceptojë si të drejtë të tij, kundërshtimin me protesta dhe presione politike vendimet që jepen nga gjykatat, në emër të Republikës së Shqipërisë. Veprimet e kryera ishin një presion i hapur ndaj gjyqtarëve dhe një kërcënim i pavarësisë së gjykatave.
Në protestën e tyre, kryetari i Bashkisë Tiranë dhe eksponentë të tjerë politikë, përdorën terma poshtërues për gjykatat dhe gjyqtarët që prej vitesh japin drejtësi, duke pasur si qëllim, ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në veprimtarinë e pushtetit gjyqësor, ç’ka mund të sjellë veçse demotivim dhe nënshtrim të sistemit të drejtësisë. Pengimi përmes protestave, i funksionimit normal të veprimtarisë së Gjykatës Administrative të Apelit për disa orë, ndikon negativisht, në mënyrë të padrejtë, në imazhin e gjykatës dhe ul besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
Në një shtet demokratik, çdo drejtues institucioni dhe eksponent politik, nuk do ta çonte nëpër mend, të organizohej në atë mënyrë për të cenuar apo kërcënuar gjyqtarët në përmbushjen e detyrave të tyre kushtetuese. Etiketimi i gjyqtarëve si “të duhur” apo “të paduhur” gjatë ushtrimit të detyrës nga palët ndërgjyqëse është i papranueshëm dhe i patolerueshëm. Si kurdoherë, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, kërkon nga trupa gjyqësore të vijojë veprimtarinë e saj, duke garantuar funksionimin e shtetit të së drejtës, sigurisht, nëpërmjet rolit të pazëvendësueshëm dhe unik të sistemit gjyqësor, duke patur në fokus të punës, respektimin e procesit të drejtë gjyqësor, duke tentuar rritjen dhe cilësinë e veprimtarisë së saj gjyqësore, si dhe duke garantuar transparencë dhe përgjegjshmëri maksimale në përmbushjen e detyrave.
Sot Këshilli i Lartë i Drejtësisë garanton trupën gjyqësore, si dhe çdo qytetar, subjekt privat apo autoritet shtetëror se është i vendosur të vazhdojë përpjekjet e tij për konsolidimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë edhe ndaj ndërhyrjeve politike, si dhe mirëpret çdo sugjerim për përmirësimin e standardeve të tij përmes zgjidhjeve konkrete.
Edhe Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar lidhur me protestën e organizuar nga Bashkia e Tiranës para Gjykatës së Apelit Administrativ kundër ndërtimit të pallatit 17 katësh tek diga e liqenit Artificial. Përmes një njoftimi për mediat, Bordi i këtij Unioni ngre shqetësimin për ushtrimin e trysnisë ndaj gjithë trupës gjyqësore të Gjykatës Administrative të Apelit lidhur me çështje konkrete, të cilat janë ende në gjykim. Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë thotë se ushtrimi në këto përmasa i trysnisë ndaj gjykatës, nga palë ndërgjyqëse, qofshin këto edhe institucione shtetërore është i paprecedentë.
“Në datën 11.05.2016 përpara godinës ku ushtron veprimtarinë e saj Gjykata Administrative e Apelit, u mbajt një protestë e cila filloi në orën 10:30 dhe zgjati deri në orën 13:15. Nga mediat kemi ardhur në dijeni se protestën e ka thirrur dhe organizuar Kryetari i Bashkisë Tiranë Z.Erion Veliaj. Duke respektuar të drejtën e protestës së gjithkujt, në format dhe mënyrat që parashikon ligji, ngremë shqetësimin tonë në lidhje me ushtrimin e trysnisë ndaj gjithë trupës gjyqësore të Gjykatës Administrative të Apelit lidhur me çështje konkrete, të cilat janë ende në gjykim”.