Fejzullahi do të operohet në gju, 3-4 muaj jashtë

Arbnor Fejzullahi nuk do të jetë në dispozicion të Partizanit minimalisht deri në muajin janar. Mbrojtësi i kuq nuk arrin të zgjidhë problemet me ligamentin e gjurit të djathtë dhe shumë shpejt do t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale që do të kërkojë një kohë të gjatë rikuperimi që varion nga 3 në 4 muaj. 24-vjeçari i lindur në Preshevë u dëmtua në sfidën e parë të kupës kundër Naftëtarit, duke krijuar probleme për trajnerin Mark Iuliano, i cili duhet të improvizojë për të përshtatur lojtarë në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Fejzullahi do t’i nënshtrohet ndërhyrjes gjatë ditëve të ardhshme në një klinikë në Tiranë, por nuk përjashtohet mundësia që operacioni të kryhet edhe jashtë vendit. Pas ndërhyrjes, lojtari do të nisë fazën e rehabilitimit, por ende nuk ka një datë të saktë për rikthimin e tij në fushë që me shumë mundësi do të jetë në fillim të muajit shkurt. Fejzullahi u transferua te Partizani përpara tre vitesh dhe është një prej lojtarëve më të aktivizuar në formacionin e skuadrës kryeqytetase me 91 ndeshje të luajtura në kampionat gjatë 4 sezoneve të fundit.

Artikulli paraprakHyka shkëlqen ndaj Portland Timbers
Artikulli tjetërPique paralajmëron largimin nga Spanja