VOA: Shqipëri, presioni korruptiv nga zyrtarët, në rritje

Monitorimi i Korrupsionit në Shqipëri për vitin 2016 zbuloi se 1 në 2 qytetarë (49.6%) pranon se zyrtarët publikë u kanë kërkuar ryshfet në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë.
Ky tregues është përkeqësuar me rreth 5% krahasuar me vitin 2014, pra zyrtarët publikë e kanë shtuar presionin korruptiv ndaj qytetarëve dhe këta të fundit janë përfshirë më shumë në korrupsion, sepse dhënia e ryshfetit në presion është rritur më tej. Një pjesë e konsiderueshme e të anketuarve (38.2%) deklarojnë se janë përfshirë në ryshfet nën presionin e zyrtarëve publikë.
Këto të dhëna tregojnë se masat antikorrupsion të ndërmarra nga qeveria, shoqëria civile dhe bashkësia ndërkombëtare nuk kanë krijuar ende rrënjë të forta, gjë që bën të domosdoshme shtimin e përpjekjeve në këtë drejtim. Të dhënat tregojnë ende një mungesë të ndryshimeve thelbësore, të cilat priten nga të dyja palët: shoqëria shqiptare dhe partnerët evropianë.
Nivelet e larta të ndjeshmërisë dhe të pranueshmërisë së korrupsionit në shoqërinë shqiptare cenojnë në vijimësi përpjekjet për të luftuar ndikimin e tij negativ.
Të pyetur nëse do të ishin në pozicionin e zyrtarit publik, 2/3 e të anketuarve (66%) janë shprehur se do të pranonin ryshfet.
Qytetarët që janë pak a shumë të ndjeshëm ndaj korrupsionit në vitin 2016 janë shumica dërrmuese e popullsisë (91%). Pjesa e të anketuarve plotësisht të pandjeshëm ndaj korrupsionit u rrit me 3% nga viti në vit.
Anketimi zbuloi se grupet që perceptohen si më të korruptuarit janë sipas radhës gjyqtarët, doganierët, prokurorët, administrata e sistemit të drejtësisë, partitë politike dhe liderët politikë.

Artikulli paraprakPajisja përgjuese e Tahirit në Polici, Prokuroria nis hetimet
Artikulli tjetërKryetari i Bashkisë së Kavajës, 40 milionë lekë për një makinë me qira