Prokuroria urdhëron arrestimin e ushtarit të bandës Çela në Elbasan

Një nga anëtarët e bandës “Çela” në Elbasan, u arrestua mbrëmë me urdhër të Prokurorisë. Enea Bekteshi u arrestua në Cërrik gjatë një operacioni, i cili u krye nën drejtimin e Krimeve të Rënda në Tiranë. Sipas burimeve të Prokurorisë, Enea Bekteshi, ka qenë në “Audin” e blinduar që goditi makinën e nëndrejtorit të Policisë në Elbasan, Gjergj Oshafi. Gjatë kontrollit në mjetin e tij është gjetur një sasi e lëndëve narkotike.
Enea Bekteshi dyshohet të këtë qenë anëtar i disa ngjarjeve kriminale. Bekteshi dyshohet se ka qenë në makinën tip “Audi” që goditi mjetin e nëndrejtorit të Policisë, para 2 javësh në Elbasan. Por Enea Bekteshi dyshohet se është pjesë e grupit të njohur si banda “Çela”, që disa muaj më parë, më 6 gusht 2017 qëlloi me antitank biznesin e fisit “Çapja”, hotel “Universin”.
Kapja e Bekteshit vjen dy ditë pas deklaratave të forta të ambasadorit amerikan Donald Lu, se vendin e drejtojnë katër klane dhe 20 familje mafioze.

Prokuroria kërkoi të përgjohet banda Çela, policia refuzoi

Prokuroria i ka kërkuar policisë që ta vinte në përgjim Enea Bekteshin, si pjesë e një bande të rrezikshme kriminale në qytetin e Elbasanit, por policia refuzoi me pretendimin se punonjësit e policisë janë me pushime. Pak ditë më parë u publikua nga “ABC News” një foto e një makine të djegur në qytetin e Elbasanit, e cila sipas policisë, dyshohet se u përdor mbrëmjen e 6 gushtit për të qëlluar me antitank, drejt banesës së familjes Çapja. Siç duket edhe nga fotoja, makina nuk është shkrumbuar plotësisht, duke lënë gjurmë brenda në kabinë, të cilat janë të vlefshme për ekspertët e Policisë Shkencore.
Automjeti luksoz, një BMW X3, sipas efektivëve ishte vjedhur në qytetin e Durrësit në fillim të gushtit, teksa rezulton pronë e një drejtuesi lokal të atij qyteti. Fillimisht, automjetit iu ndryshuan targat në unazën lindore të qytetit dhe më pas atentatorët përshkojnë të gjithë gjatësinë e saj, deri kur mbërrijnë tek objektivi.
Fatmirësisht, predha e antitankut, një armatim i rëndë lufte nuk ka shpërthyer. Ai u gjet nga policia në oborrin e shtëpisë dhe u çmontua nga forcat xheniere. Vetëm pak çaste pas ngjarjes, automjeti i vjedhur në Durrës u gjet i djegur afër Spitalit Psikiatrit “Sadik Dinçi”, rreth 500 metra larg vendit të ngjarjes.
E gjithë kjo histori e denjë për filmat hollivudian u mbajt e fshehtë nga organet e rendit. Policia e Elbasanit nuk dha asnjë njoftim në komunikatën e përditshme, siç ndodh rëndom për ngjarje me arrestime të drejtuesve të automjeteve në gjendje të dehur, apo motoçikleta pa dokumente.
Menjëherë për këtë ngjarje të rëndë, Prokuroria urdhëroi që nga data 11 deri më 26 gusht të mbaheshin nën përgjim, ambiental, fotografik, filmik dhe me audio, Sokol Sanxhaktari, Enea Bekteshi dhe Kelmend Xhaferri. Pavarësisht kërkesës së Prokurorisë së Elbasnit për të mbajtur nën mbikëqyrje personat e lartpërmendur, Policia e Shtetit ka kthyer këtë përgjigje në organin e akuzës. “Nga ana e sektorit të forcës së posaçme, nisur nga dinamika e madhe me shërbime në funksion të procedimeve penale në ndjekje dhe numrit të limituar të ndihmës specialistëve si pasojë e ndjekjes së grafikut të pushimeve vjetore, është e pamundur kryerja e veprimeve të vëzhgimit të fshehtë të personave dhe mjediseve në këtë periudhë kohore”.
Kelmend Xhaferri u prangos në tregun Agro-Ushqimor më 18 shtator, kur u godit makina e nëndrejtorit të Policisë, pasi lëvizte gjatë gjithë kohës me eskortë, ndërsa për dy të tjerët, Policia nuk jep asnjë të dhënë. Në momentin e prangosjes, Xhaferri kishte në përdorim një automjet tip “Range Rover”, ndërsa pas tij qëndronte një “Audi A8” i blinduar. Aktualisht, pas hekurave për ngjarjen e 18 shtatorit qëndrojë vetëm Ledio Zabeli dhe roja i objektit të tregut, Valmir Dedja. Ndërsa ndaj Kelmend Xhaferrit, Gjykata e Krimeve të Rënda urdhëroi qëndrim me arrest shtëpie.
Ndërkohë, autori kryesor i sulmit ndaj Policisë në Elbasan, Suel Çela, është larguar jashtë shtetit nga Aeroporti i Rinasit me ndihmën e Policisë. Denoncimi u bë një ditë më parë nga një oficer policie, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Oficeri i Policisë së Elbasanit shkruan se, Suel Çela është larguar jashtë shtetit që natën e 18 shtatorit, pasi sulmoi me makinë nëndrejtorin e Policisë së Elbasanit. Ai bëri të ditur se, Çela është përcjellë nga Policia në Aeroportin e Rinasit. Biznesmeni Petrit Çela është mik i afërt i kreut të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini dhe kryeministrit Rama. Banda e drejtuar nga djali i tij dhe dhëndri i kreut të Bashkisë detyruan qytetarët që të votojnë për Partinë Socialiste në zgjedhjet e 25 qershorit.

R.POLISI

Artikulli paraprakPse nuk dënohen dëshmitarët që ndryshojnë dëshmitë ndaj Shullazit?
Artikulli tjetërArkivol Qazim Sejdinit në shtëpi