Skënderbeu ka treguar rritje në lojë dhe rezultate që në fillimin e këtij viti, kur skuadra iu besua trajnerit Ilir Daja. Në dhjetorin e vitit 2016, pas përfundimit të supersfidës Skënderbeu–Partizani, korçarët të cilët u mundën 1-2 në shtëpi panë veten 5 pikë larg Kukësit kryesues dhe 4 pikë larg Partizanit pretendent për titullin. Drejtuesit morën vendimin për të larguar Agostinellin duke afruar Ilir Dajën, që u largua në mesin e sezonit nga Tirana. Ky ndryshim rezultoi i goditur për korçarët, pasi bardhekuqtë iu rikthyen pretendimeve për titullin, madje e humbën atë në sfidën direkte aq shumë të kontestuar ndaj Kukësit në Zeqir Ymeri. Që nga debutimi në stol më 28 janar ndaj Flamurtarit në Korçë, Skënderbeu i Dajës ka luajtur 22 ndeshje në superiore, duke fituar 15, barazuar 5 dhe humbur vetëm dy.
Mesatarja e pikëve për ndeshje është 2.27, një ecuri i jashtëzakonshme që kulmoi me suksesin në Zeqir Ymeri ndaj Kukësit në fillim të kësaj jave. Sikur të mos mjaftojnë rezultatet dhe loja në rritje në kampionat, këtë verë Skënderbeu vendosi edhe rekordin në Europë, pasi u bë e para skuadër që kalon 4 ture në kompeticionet e UEFA-s për t’u rikthyer në fazën e grupeve të Europa League, aty ku luajti edhe dy sezone më parë. Padiskutim që merita për këtë ecuri shkon për drejtuesit, por duartrokitjet më të mëdha i meriton Ilir Daja, strategu që bëri të funksionojë si duhet skuadrën pas një periudhe me oshilacione në lojë dhe rezultate.