Ambasadori italian Cutillo: Luftoni krimin e organizuar, dënoni autorët

Pas reagimit të fortë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe Italia ashpërson tonet ndaj qeverisë shqiptare, ndërsa kërkon luftë konkrete me rezultate kundër krimit të organizuar dhe vënien para drejtësisë të krerëve të bandave kriminale dhe trafikantët e drogës.
Lufta kundër krimit, drejtësia dhe rëndësia e arrestimit të autorëve ka qenë në fokus të fjalës së ambasadorit italian Alberto Cutillo, i cili sikurse ambasadori amerikan Lu ishte i ashpër në fjalën e tij, duke kërkuar më shumë veprim në luftën kundër krimit të organizuar.
Në një kohë kur Shqipëria është shndërruar në një ndër vendet më të pasigurtë të Europës për shkak të rritjes së nivelit të krimit, pushtetit të tij si dhe trafikut të drogës, vëmendja e ndërkombëtarëve dhe shqetësimi i tyre ndaj Shqipërisë është rritur ndjeshëm.
Ambasadori italian në Shqipëri, Alberto Cutillo, gjatë një takimi në Korçë u shpreh se, Shqipëria duhet të bëjë më tepër për të luftuar grupet e mëdha kriminale. Më tej, Cutillo shtoi se është e rëndësishme që të gjithë përgjegjësit, pasi të kapen të dënohen çka në fakt sipas tij ende nuk ka ndodhur.
“Italia dhe Shqipëria po bashkëpunojnë prej vitesh në luftën kundër krimit të organizuar. Krimi nuk është fenomen shqiptar, por botëror. Kemi pasur rezultate në luftën kundër kanabisit. Por Shqipëria duhet të bëjë më tepër, sidomos për të luftuar grupet e mëdha kriminale. E rëndësishme është, që kur të kapen përgjegjësit, të dënohen, gjë që në fakt, deri tani nuk ka ndodhur”, u shpreh ambasadori.
Diplomati vlerësoi se, Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër krimit të organizuar, por sipas tij disa vende kërkojnë që të bëhet më tepër. Ai theksoi se, askush nuk duhet të mbetet pa u ndëshkuar dhe se kushdo që bën krim duhet të shkojë para drejtësisë.
Edhe njëherë Cutillo vlerësoi se, Shqipëria e di mjaft mirë që për të hapur negociatat duhet të plotësojë 5 kushte, një prej të cilëve është lufta kundër krimit të organizuar. Sa i përket ecurisë së vetingut, diplomati italian u shpreh besimplotë se do të sjellë rezultate.
Deklaratat e forta të diplomatit italian vijnë vetëm pak ditë, pasi ndihmës/Sekretari Amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, Wess Mitchell lëshoi një paralajmërim të fortë ndaj të gjithë krerëve të qeverive të Ballkanit përfshirë edhe Shqipërinë, ndërsa i ka akuzuar drejtpërdrejtë ato për korrupsion dhe autoritarizëm.
Ky mesazh i fortë i Mitchell dëshmoi për rëndësinë që Presidenti Donald Trump i jep situatës në Ballkanin Perëndimor si dhe në Shqipëri gjithashtu.
Por nga ana tjetër, në të njëjtën kohë në Shqipëri ambasadori Lu, i kërkoi publikisht nga qeveria aktuale të reagojë ndaj 4 klaneve dhe 20 familjeve që kontrollojnë trafikun e drogës dhe të dënohen peshqit e mëdhenj që po pengojnë vettingun.
Por krahas kësaj, një deklaratë tjetër të fortë Lu e përcolli pak ditë më parë edhe ndaj të rinjve shqiptarë, ku i ftoi ata të ngrihen në rrëzimin e qeverisë, në rast se kjo e fundit nuk përmbush kërkesat e tyre legjitime për të jetuar si çdo qytetar europian.
Është hera e parë që faktorët ndërkombëtarë po flasin me tone të tilla në lidhje ndaj nevojës për luftën kundër krimit të organizuar. Shqetësimi i tyre dëshmon se sot krimi i organizuar është i veshur me pushtet dhe është i imunizuar nga ligji apo forcat policore që duhet ta luftojnë.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërBasha: Rama të tregojë sa taksa paguajnë oligarkët, po zhvat njerëzit e thjeshtë