Juventusi ka një objektiv të ri në merkaton e verës. Siç raporton “Corriere dello Sport”, bardhezinjtë kërkojnë me ngulm Andre Gomes të Valencias. Kampionët e Italisë po përgatisin një ofertë të rëndësishme, ku kanë menduar për të gjitha detajet. Për mesfushorin portugez, “Zonja e Vjetër” është gati të paguajë 50 milionë euro, 30 milionë plus 20 milionë bonus. Një ofertë kjo që mund të tundojë jo pak presidentin e Valencias, Peter Lim.
Juve dhe, në të tilla shifra, Valencia tundohet jo pak, ndonëse kjo tratativë është vetëm në hapat e saj të parë dhe bisedimet pritet që të bëhen më serioze, pas datës 21 janar, kur Juventusi të mbyllë zyrtarisht këtë sezon, me finalen e Kupës së Italisë kundër Milanit.
Juventusi kërkon të bëjë gjëra të mëdha në të ardhmen e afërt dhe këtë e tha qartë edhe presidenti Andrea Anjeli, në konferencën e së mërkurës, me rastin e rinovimeve të Bufonit dhe Barzaljit.
Por për të synuar fronin europian kërkohen edhe investime të mëdha dhe lojtarë cilësorë, prandaj, për të festuar më së miri titullin e pestë radhazi, padroni bardhezi ka vendosur që të mos kursehet, por kërkon t’i shtojë një emër të madh në mesfushë Juventusit, një organizator, lojtarin e shumëkërkuar nga trajneri Masimiliano Alegri prej dy vitesh. Pistat që po ndiqen tashmë njihen nga të gjithë, por risia është se në klubin torinez kanë vendosur që të hapin thesin dhe të paguajnë shifra stratosferike.
Prej më sumë se një jave, Juventusi po shqyrton edhe organizatorin e Realit të Madridit, Hames Rodriguez. Kolumbiani, i cili nuk po shkëlqen në radhët e “galaktikëve” është shndërruar në një objektiv serioz, aq sa pas mediave italiane, tashmë edhe ato spanjolle konfirmojnë kontaktet dhe lejen që ka marrë “Zonja e Vjetër” për të ngritur në këmbë një tratativë serioze. Në këto bisedime përfshihet pagesa e 50 milionë eurove, plus rikthimin gratis të Alvaro Moratës në “Santiago Bernabeu”, për një total prej 80 milionësh, e njëjta shifër që Reali pagoi dy vite më parë, për të siguruar amerikanojugorin.
Emri i dytë dhe ndoshta dëshira më e madhe e Alegrit është fantazisti boshnjak i Romës. Pjaniç ka një klauzolë prej 38 milionë eurosh me klubin kryeqytetas dhe Juventusi është i gatshëm për ta paguar atë. Verdhekuqtë, nga ana e tyre, janë të vendosur me shpatulla pas murit, sepse klauzola e vendosur u lejon bardhezinjve që të kontaktojnë lirshëm me futbollistin, i cili duket se nuk e ka përjashtuar mundësinë e një transferimi, madje duket i gatshëm për t’u veshur bardhezi.