Me 14.300 ushtarë pritet të shtohet ushtria gjermane Bundeswehr deri në vitin 2023 – ky është objektivi, ministres së Mbrojtjes, Ursula von der Leyen (CDU). “Bundeswehri është përballur muajt e fundit me detyra si rrallë më parë”, e arsyetoi von der Leyen shtimin e planifikuar. Fjala është për misionet e reja jashtë vendit, shpëtimin e refugjatëve në det dhe përgjegjësitë në NATO. Përveç 14,300 ushtarëve shtesë Bundeswehri ka në plan që të punësojë në shtatë vitet e ardhshme edhe 4,400 më shumë punonjës civilë. Këto shifra nuk janë përcaktuar një herë e përgjithmonë – ato do të rishikohen çdo vit dhe do të përshtaten nga një “bord për personelin”. Synimi kryesor i ministres është për të modernizuar forcat e armatosura në tërësi. Më shumë para, materiale më të mira dhe një politikë personeli më fleksibile – këto janë themelet e strategjisë së saj.Fakti që numri i ushtarëve do të rritet përsëri të habit, sepse që prej një çerek shekulli Bundeswehri, i cili pas ribashkimit gjerman të kishte një total prej 800.000 të punësuarish, ushtarë dhe punonjës civilë, po zvogëlohet. Që prej asaj kohe numri i personelit u ul deri sa në vitin 2011 u vendos si kufi tavan shifra 185.000 ushtarë. Republika Federale e Gjermanisë nuk ka nevojë për më shumë u tha pas heqjes së shërbimit ushtarak të detyrueshëm. Ky kufi është në fuqi ende dhe sot.
Mungesë specialistësh
Aktualisht numri i ushtarëve është vetëm 177.000. Ministria e Mbrojtjes ankohet se nuk ka specialistë për mbrojtjen kibernetike, si dhe mjekë, ndihmësmjekë dhe ekspertë për analizimin e fotografimeve nga ajri, vetëm për të përmendur disa prej specialistëve që mungojnë. Mungesa e specialistëve është prej kohësh një problem i madh për Bundeswehr-in, i cila konkuron në kërkim të të rinjve të kualifikuar me ekonominë dhe në këtë garë del shpesh e humbur. Ministrja von der Leyen nuk pret se do t’i gjejë të gjithë 14,300 ushtarë shtesë në tregun e punës. Ajo synon të vazhdojë punësimin e atyre që mund të kenë arritur moshën e pensionit dhe të zgjasë kontratat me afat. Sa u përket punonjësve civilë Ministria e Mbrojtjes nuk sheh ndonjë problem për të plotësuar deri në vitin 2023 me personel 4.400 vende të reja pune.
“Planifikim larg realitetit”
Heqja e kufirit tavan për numrin e ushtarëve nuk mund t’i zgjidhë problemet e Bundeswehr-it me personelin, mendon opozita në Bundestag. “Kush e përkthen një përgjegjësi më të madhe gjermane në politikën e jashtme dhe të sigurisë verbërisht vetëm me më shumë misione të Bundeswehr, nuk duhet të befasohet nëse barra do të bëhet dikur shumë e madhe”, kritikoi Agnieszka Brugger, zëdhënëse për politikën e mbrojtjes e Partisë së Gjelbër. Duke pasur parasysh ndryshimin demografik dhe mungesën e mundësive financiare është krejtësisht e paqartë se si do të gjendet personeli shtesë. “Dështimi i këtij shtimi jorealist të personelit është i pashmangshëm”, tha Brugger. Edhe partia E Majta i kritikoi planet e ministres së Mbrojtjes, Ursula von der Leyen. Zëdhënësja e kësaj partie për politikën e mbrojtjes, Christine Buchholz, tha se problemi është se ministrja e Mbrojtjes von der Leyen nuk lë rast pa kërkuar që të dërgojë ushtarë gjermanë në zonat e luftës ose në manovra të NATO-s në periferitë lindore të aleancës.