Borxhi jashtëm publik dhe privat i Kosovës vjet në krahasim me vitin 2014 u rrit për 12.93 për qind. Ky borxh në vitin 2015 arriti në 1.93 miliardë euro nga 1.74 miliardë euro që ishte në vitin 2014. Borxhi në Produktin e Brendshëm Bruto (PBB) mori pjesë me 29.69 për qind.
Në bazë të të dhënave mbi Borxhin e Përgjithshëm të Ministrisë së Financave (MF), stoku i borxhit të përgjithshëm publik në fund të vitit 2015 arriti vlerën prej 748.95 milionë euro nga 719.48 milionë euro që ishte në tremujorin e tretë të këtij viti me një rritje prej 3.93 për qind.
Gjithsej borxhi i përgjithshëm në fund të vitit 2015 arriti në 12.98 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, ndërsa në vitin 2014 ky borxh ishte 10.63 për qind. Nga viti 2009 deri në vitin 2015 ky borxh mesatarisht ishte 506.54 milionë euro. Më i ulëti ishte në tremujorin e katër të vitit 2009-249.01 milionë euro, ndërsa vlera më e lartë u tij arrit në tremujorin e katërt të vitit 2015 prej 748.95 milionë euro.
Sipas raportit të fundit të Thesarit të Ministrisë së Financave del se Kosova për fundin e vitit 2015 u karakterizua me rritje të borxhit të brendshëm kundrejt atij të jashtëm. Në tremujorin e tretë të këtij viti, borxhi ndërkombëtar ishte 367.23 milionë euro, ndërsa borxhi i brendshëm ishte 352.25 milionë euro.
Borxhi i brendshëm publik deri në fund të vitit 2015 kryesisht përbëhet nga stoku i borxhit me vlerë prej 377.78 milionë euro, apo 6.46 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Pjesa e tjetër e këtij borxhi vjen nga emetimet e reja të letrave me vlerë në shumën prej 25.53 milionë eurove.
Në anën tjetër, borxhi ndërkombëtar në fund të viti 2015 arriti në 371.2 milionë euro, ku 339.87 milionë euro shfrytëzohen nga qeveria për nevojat e nivelit qendror, ndërsa 31.30 milionë euro është borxh i nënhuazuar. Ky borxh përbën 6.35 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto.
Stoku i borxhit paraqet borxhin e jashtëm dhe të brendshëm që ende nuk është shlyer. Më së shumti borxh ndërkombëtar Kosova për vitin 2015 i ka Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim në shumën prej 180.99 milionë euro, ndjekur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në vlerë prej 127.74 milionë euro, kurse pjesën tjetër e përbënë KfW-ja me 30.62 milionë euro, Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim me 28.86 milionë euro dhe “UniCredit” me 2.96 milionë euro.
Në bazë të Marrëveshjeve Financiare Ndërkombëtare për tremujorin e katërt të vitit 2015 ekzistojnë katër kredi me vlerë të përgjithshme prej 83.8 milionë euro, për të cilat janë lidhur marrëveshjet, por që ende nuk janë ratifikuar.
Kredia “Modernizimi i Shërbimeve të Kardiologjisë Invazive” është marrë si huazim direkt nga “UniCredit” me një vlerë prej 2.6 milionë euro. Kredia “Projekti për Përmirësimin e Sistemit të Arsimit” është marrë nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim si huazim direkt me vlerë prej 10.2 milionë eurove. Kredia për “Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10” është nënshkruar me Bankën Evropiane për Investime me vlerë prej 42 milionë euro si huazim direkt. Ndërsa, kredia “Rehabilitimi i Rrugëve Rajonale”, ka vlerën e 29 milionë eurove si huazim direkt dhe është marrë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Sipas “Trading Economics”, bazuar në modelet makroekonomike dhe analizën e pritjeve, vlerësimet e borxhit të përgjithshëm publik janë se ky borxh në Kosovë deri në fund të këtij tremujori të vitit 2016 pritet të jetë 832.85 milionë euro, apo 13.24 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto.
Nga këto pritje del se borxhi i përgjithshëm publik prej 914.70 milionë euro do të arrijë në 12 muajt e ardhshëm, përkatësisht 14.21 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto. Në periudhë afatgjatë, ky borxh është parashikuar të arrijë në 16.9 për qind të këtij produkti, ose në 1.11 miliardë euro deri në vitin 2020.
Edhe pse borxhi i Kosovës është rritur për 166.1 milionë euro në vitin 2015, niveli i borxhit të përgjithshëm e bën Kosovën vendin me shkallën më të ulët të borxhit publik në rajon, gjë që mesatarja e këtij borxhi në vendet e Evropës Juglindore është mbi 55.1 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto.
Nëse kemi parasysh rregullën fiskale që përcakton kufirin maksimal të borxhit të përgjithshëm publik në 40 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto, atëherë kjo tregon për një shkallë të ulët të borxhit publik në Kosovë.
Mirëpo, Banka Botërore në raportin e saj të fundit thotë se, borxhi publik i Kosovës është ende i vogël, por po shënon rritje të shpejtë.
Borxhi publik i Kosovës përbëhet nga borxhi shtetëror, borxhi i nën-huazuar dhe garancitë. Kosova ende nuk ka borxh komunal.