Gjykata vihet në gjunjë para “Saje Qorrit” dhe Shullazit, duke zbatuar urdhërat e tyre. Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e bërë nga vrasësi Shullazi dhe zari i tij, ish-ministri i Brendshëm, të cilin ai e thërriste “Saje Qorri” për të dëshmuar në gjyq ish-Kryeministri Berisha, i cili ishte i pari që denoncoi kërcënimin që Shullazi i kishte bërë rektorit Koni. Përse duhej të thirrej Berisha? Kjo ndodh kur gjykata komandohet nga Shullazi dhe shefi i tij në qeveri Rama. Ata mendojnë se kushdo që flet kundër kësaj bande vrasësish duhet të përgjigjet, duke u thirrur në gjykatë. Synohet t’i jepet një paralajmërim të gjithë dëshmitarëve të krimeve se duhet të mbyllin gojën dhe se të fortët bëjnë ligjet edhe në gjykata.
Gjatë seancës së pyetjeve, Tahiri që në fillim e devijoi dëshminë e tij, duke e politizuar çështjen, me deklaratën se, “habitem se përse jam unë këtu, pasi duhej thirrur Sali Berisha”. Edhe pse gjyqtari e paralajmëroi që të mos bëjë politikë, Tahiri vijoi të akuzojë Prokurorinë gjatë dëshmisë së tij se, e ka kthyer çështjen politike. Duke mos e shqiptuar për asnjë moment emrin apo mbiemrin e Shullazit, Tahiri tha se, Koni dhe Kule e kishin dhënë me hamendësime identitetin e kërcënuesve.
I pandehuri Emiljano Shullazi, ndryshe nga herët e tjera gjatë këtij gjyqi maratonë me dëshmitarë të tjerë, nuk i bëri asnjë pyetje Tahirit, por vetëm pasi mbaroi ai “dëshminë” e shkurtër i kërkoi trupit gjyqësor, që të thirret për të dëshmuar edhe Sali Berisha për çështjen e kërcënimit ndaj rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. Kërkesë që edhe u pranua nga Gjykata.
Saimir Tahiri dhe kapobanda Emiliano Shullazi kanë pasur prej vitesh një miqësi dhe marrëdhënie të ngushtë, por në seancën e djeshme gjyqësore u zbulua se, ndaj tyre vazhdon marrëdhënia e ngushtë si në kohët “e vjetra”.
Të dy bashkëpunuan për fushatën e Partisë Socialiste, njëri si kryetar i PS të Tiranës, tjetri si pjesë e asaj që socialistët e quanin “Ushtria e mbrojtjes së votës”. Shullazi është përdorur nga Rama dhe Tahiri për zgjedhjet e vitit 2013, duke mbledhur vota për Partinë Socialiste nën kërcënimin e armëve. Gjatë fushatës elektorale Shullazi udhëtonte me makinën e Tahirit për të bërë fushatë për PS-në.
Ata u bashkuan për të njëjtën kauzë, pushtetin me çdo mjet. Atëherë Tahirit i ishte premtuar se do të bëhej ministër i Brendshëm, ndërsa Shullazi ishte një emër i afirmuar në botën e krimit. Marrëdhënia personale që ekziston mes Tahirit dhe Shullazit u pa edhe në seancën e djeshme gjyqësore, kur Tahiri nuk ia përmendi asnjëherë emrin Shullazit, por u hodh në sulm kundër Prokurorisë. Për shkak të marrëdhënies së ngushtë mes tyre, Shullazi e thërret me ironi Tahirin “Saje Qorri”.
R.POLISI