Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako deklaroi para trupit gjykues se, për kërcënimin e kanditatit për rektor nga Emiljano Shuzllazi u informua nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dhe jo nga strukturat e policisë. Ai theksoi se, Profesor Dhori Kule kishte akuzuar Emiljano Shullazin si një nga kërcënuesit e tij.
“Në prill të 2016, datën s’e mbaj mend me saktësi, më telefonoi ministrja e Arsimit dhe me informoi për kërcënimin e profesorëve. U takuam në një ambient afër Gjykatës Kushtetuese. Në takim ishte edhe Dhori Kule. U diskutua për një kanosje që i ishte bërë Mynyr Konit. Kule na informoi se, kanosja ishte bërë nga disa persona, mes të cilëve ishte dhe Shullazi”, tha kryepolici në Gjykatë.
Çako foli më tej për masat e marra lidhur me ngjarjen. “Pasi u njoha me ngjarjen, kam thirrur drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj dhe Ardian Çipën. Të gjithë kemi shkuar në zyrën e Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri tek Garda e Republikës. Kam lënë porositë për ngjarjen. Lashë detyrë të merrej kontakt me Mynyr Konin për marrjen e kallëzimit”, deklaroi Çako. Kryepolici shtoi se nuk ka dijeni për emrat e kërcënuesve, pasi me detajet janë marrë oficerët e policisë.
Emiljano Shullazi e pyeti Çakon se nga kush u identifikua ai si një nga autorët e kërcënimit. “Dhori Kule gjatë bisedës tha se, njëri nga personat që e kishin kërcënuar ishte Emiljano Shullazi”, deklaroi Çako. Sipas Çakos, kërcënimi ishte bërë përmes kontaktit fizik dhe qëllimi ishte detyrimi i Mynyr Konit për t’u tërhequr nga gara për rektor.