Flamur Bala, banor i lagjes numër një në Durrës, ka denoncuar në media një ndërtim prej druri për të cilin thotë se bëhet në tarracën e katit të gjashtë nga ish-deputetja e PS-së, Esmeralda Shkjau. Sipas shtetasit Flamur Bala, ish-deputetja socialiste po ndërton pa leje një shtesë në apartamentin e saj në katin e gjashtë në lagjen nr.1 tek Shëtitorja “Taulantja”.
Burime pranë “Durrës Lajm” konfirmojnë, se sipas Flamurit, bëhet fjalë për një shtesë të paligjshme. “Po më zë dritën e diellit, ish-deputetja po ndërton pa leje”, tha qytetari. “Durrës Lajm” mëson se pas denoncimit të tij, në banesën e deputetes kanë zbarkuar ekspertë të IKMT-së për verifikime. Bala, i cili është edhe person me aftësi të kufizuara, shprehet se denoncimi është bërë edhe në Policinë e Durrësit si dhe në Policisë Bashkiake, si dhe është vënë në djeni edhe Kryeministri Rama përmes një letre.
Ai tha se, punimet janë ndërprerë nga Inspektorati Urbanistik i Bashkisë së Durrësit, por ndërtimi i shtesës pa leje nga ish-deputetja, sipas tij, duhet të prishet dhe të mos vijojë. Denoncuesi është shprehur se ka pasur edhe komunikim paqësor me ish-deputeten, por ajo ka thyer tashmë edhe miqësinë me të, por edhe ligjin, pasi, sipas tij, edhe nëse ka leje për ndërtim, ajo është abuzive.
Në një komunikim me mediat nëpërmjet telefonit, ish-deputetja socialiste tha se, ndërtimi prej druri ka leje nga Bashkia Durrës, dhe është bërë me qëllim futjen e depozitave të ujit brenda. Deri në sqarimin e plotë të çështjes, ndërtimi është pezulluar nga INUK.