“Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,
të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!….
…Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve! ” (Ali Asllani)
Vrasje, drogë, grabitje, prostitucion janë arritjet madhore të kësaj mazhorance. Çdo ditë pushtetarët nga Kryeministri, kryetari i Parlamentit, ministrat, kryebashkiakët dhe deri tek rilindasi i fundit janë në mos njëri, tjetri, ose të gjithë bashkë duke kryer krime ndaj këtij populli. Skandalet nuk kanë të sosur dhe plasin sa në Tiranë, në Vlorë, Sarandë, Korçë dhe çdo cep të Shqipërisë e deri edhe në Hamburg, kur i bie radha për vizitë ministres së Mbrojtjes. As Kryeministri, as kryeparlamentari nuk i mohojnë këto krime të urdhëruara prej tyre, por ushtarët e tyre shihen të ndërtojnë alibira se i kujt është Balili, e i kujt është Shukriu, i PS-së apo LSI-së. Askush nuk e vë në diskutim se të gjithë këto fundërrina janë pjesë e koalicionit të qelbësirave, duke marrë edhe konfirmimin me zë e figurë të Koço Kokëdhimës.
Një Kryeministër idiot në punët e shtetit, vazhdon të nxjerrë para me beton, drogë dhe banda, duke e kthyer Shqipërinë në një Republikë mafioze. Një kryeparlamentar i akuzuar vazhdimisht për afera kriminale dhe korruptive bën të fortin e lagjes në koalicionin qeverisës, ecën dorë për dore me Kryeministrin duke ndarë llokma dhe bërë plane e skenare për të prishur plane e skenare që ia fut Rama dhe ia fut Ramës. Një kabinet qeveritar, ku ministrat nuk i prishin punë njëri-tjetrit, nuk i ndërhyjnë njëri-tjetrit, pasi vjedhin së bashku dhe paguajnë njësoj shefat e mëdhenj. Ekonomia, financat, rendi, mbrojtja, shëndetësia, arsimi, bujqësia, transporti, kultura janë në krizë të thellë dhe lolo–ministra dalin si magjistarë shifrash dhe na thonë se populli është më i lumtur dhe vendi është më mirë kur bien të ardhurat, kur shpërthejnë tritolet, kur kanabisi mbulon malet dhe fushat, kur të sëmurët vdesin nga ilaçet e skaduara ose mungesa e ilaçeve, kur mësuesit shesin drogë në shkolla, kur ushtarakët vriten duke transportuar mermerin e vilës së ministres, kur jeta e fëmijëve është më e lirë se një litër karburant më shumë që do të shesë Kërri i Partisë, kur tenderat dhe koncesionet janë thjesht grabitje me letra zyrtare, kur ministra, drejtorë dhe kryebashkiakë heqin brekët dhe bëhen milionerë, kur Kryeministri, policia, ambasada vihen në shërbim të Eskobarit, kur e keqja është bërë si një rrezatim radioaktiv që ka mbuluar vendin.
Degradimi i skajshëm i Shqipërisë është një zhvillim alarmues dhe trendi të thotë se këta të babëzitur, kriminelë dhe perversë nuk kanë të ngopur, nuk kanë të ndalur. Edhe kur shohin se një trupë gjyqësore ju bën rezistencë organizohen në akte vandaliste ndaj gjykatësve dhe si në aksionet e dikurshme komuniste kundër kishave dhe xhamive kërcënojnë se do t’i rrafshojnë gjykatat si të ishin ndërtime pa leje. Mjerë ne kur këtë e bën një kryebashkiak – ish-shitës fiqsh, me nivel arsimor të njëjtë me Gencin e Bales, që kujton leksione demokracie disa copëza të përkthyera nga Google, sikur të ishte duke folur para tribuve të izoluara afrikane me surratin e Sadri Abazit.
Veliaj, Sadriu, Koço, Shukriu, Shullazi, Balili dhe rilindasit e integriliristët janë ata që Ali Asllani i quan të pabrekët milionerë që kanë zënë dhe kontrollojnë çdo nivel të qeverisjes, ata që po ua bëjnë jetën ferr shqiptarëve dhe po vrasin çdo shpresë në këtë vend. Nëse Shqipëria vazhdon të lihet në duar të këtyre qelbësirave që na qeverisin, rreziku është të përfundojmë si një shtet i dështuar ose në një diktaturë tjetër. Nuk ka reformë, as shkop magjik që e pastron këtë vend prej këtyre fundërrinave. Poeti thotë grushti duhet të bjerë mbi kokë të zuzarëve! Sa më shpejt aq më mirë!