Dosja “Rama” e krimit

Basha denoncon foton e ministrit me kryekriminelin e kërkuar në Itali Durim Keçi të fshehur nga Rama. Kreu i qeverisë në përgjimet e partnerëve për lidhjet me krimin. Rama -Durim Keçit: Sa të jem unë në qeveri s’ka bir nëne të të arrestojë. Roli i kryebanditit në zgjedhjet në Shijak…

Kryetari i PD, Basha ka denoncuar dje me emra dhe prova lidhjet e Ramës me familjet mafioze në Shijak, të cilat ai i ka përdorur për rrëmbimin e votave në këmbim të lirisë gjatë dy zgjedhjeve të fundit. Basha ka bërë publike fotot e të shumëkërkuarit nga Interpoli dhe Policia italiane të Durim Keçit, i cili rezulton që të jetë një nga anëtarët e stafit elektoral në fushatën e fundit të Ramës për zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit. Në foto Keçi shfaqet në një mbledhje të shtabit elektoral. Në një foto tjetër të cilën Basha e ka bërë prezent po dje gjatë emisionit “Opinion”, Durim Keçi është me dorën në krah të ministrit Klosi, i cili tani është ministër i Mjedisit.
Në një tjetër foto Durim Keçi shfaqet në krah të Administratorit socialist të Shijakut të vendosur nga Rama dhe Dako. Po mbrëmë edhe kryetarja e LSI publikoi në Facebokun e saj foto të Ramës me kriminelë. “Të gjithë këta që ka dalë Rama janë në kërkim ndërkombëtar”, është shprehur Kryemadhi.

Denoncimi i Bashës

Faktet e paraqitura nga Kryetari i PD për lidhjet e Ramës me bandat e krimit të organizuar të kërkuara nga vendet e BE janë ndër më të rëndat e viteve të fundit dhe një tregues i qartë i realitetit kriminal në të cilin gjendet sot vendi për shkak të lidhjeve të ngushta me kreun e qeverisë.
“Durim Keçi ka vite që kërkohet nga Interpoli italian dhe Edi Rama personalisht ka hequr nga lista e të kërkuarve nga Interpoli dhe është hedhur sërish në sistem vetëm 1 apo 2 ditë para se Rama të shkojë në Romë”, tha Basha. Edhe arrestimi i Keçit në fakt ka ndodhur vetëm pas kthimit të Ramës nga vizita në Itali, ku duket se i është bërë e qartë dhe i është kërkuar në mënyrë ultimative arrestimi i Keçit. Por për Bashën, kjo nuk është arsyeja e vetme se përse Rama ka shitur Keçin. Një arsye tjetër është se në Shijak tani ka dalë një tjetër klan kriminal me mbiemrin Abdyli. “Për hesap të familjes Abdyli, Rama ka shitur Keçin”, tha Basha. Ai deklaroi se, Rama është futur në lojën e bandave. Ndaj dihet se kanë një luftë të ashpër me njëra-tjetrën për shkak të kontrollit të territorit. Llogaritë e Ramës tani janë bërë me klanin Abdyli.
Rama është futur mjaft thellë në lidhjet kriminale. Për Bashën është e qartë se pse atij i duhen këto lidhje dhe kjo bëhet vetëm në funksion të grabitjes së votës së lirë shqiptarëve. Basha ka shkuar më tej. Ai ka deklaruar se jo vetëm që bashkëpunon me krerë të krimit të organizuar, por tani edhe po ndan tenderat dhe privilegjet e tjera të pushtetit. Në fakt janë pikërisht këta kriminelë që tani vendosin edhe emrat e njerëzve që ata duan në krye të pushtetit si dhe të drejtorive.

Rama në përgjimet e shërbimeve partnere

Kryetari i PD ka bërë publik një pjesë nga përgjimet e Ramës me Durim Keçin ku ai i garanton atij lirinë e plotë. “Sa të jem unë Kryeministër, nuk ka birë nëne që të arrestojë”, u shpreh Basha, duke huazuar një pjesë të këtyre përgjimeve. Ai tha se, shërbimet partnerr kanë tabulatet e përgjimeve të Durim Keçit ku janë edhe bisedat e tij me Ramën. “Kërkojini këto tabulate dhe do të gjeni bisedat e Ramës me Durim Keçin”, u shpreh Basha. Kryetari i PD deklaroi se prej kohësh Keçi ka qenë në shërbim nga shërbimet partnere italiane. Një tjetër fakt kompromentues për lidhjet e Ramës me krimin është fshehja që Rama i bën dosjes së të kërkuarve nga Interpoli. “Pse nuk i bën ai publike emrat e listës së Interpolit? Sepse është e qartë se është vetë Rama që vendos kush duhet të jetë dhe kush duhet të hiqet nga ajo listë. E njëjta lojë është luajtur edhe në rastin me Durim Keçin. Ai është vendosur në listë vetëm një ditë përpara vizitës në Itali”, tha Basha.

Shantazhet dhe kërcënimet ndaj opozitës

Kryetari i PD, Basha ka bërë dje publik edhe një fakt tjetër të rëndë që lidhet me kërcënimet dhe shantazhet ndaj opozitës që bëhen për t’i mbyllur asaj gojën në Parlament. “Të mërkurën kërcënojnë opozitën, ndërsa të enjten i mbyllin asaj gojën përmes Gramoz Ruçit”, u shpreh Basha. Për kreun e PD është e qartë se kemi të bëjmë me një skemë të pastër kriminale që drejtohet direkt nga Rama.

Basha: Rama nuk e arreston Klement Balilin se e ka filmuar tek Santa Kuaranta

Kryetari i PD, Basha deklaroi në “Opinion” se, Rama nuk e arreston Balilin edhe pse e kërkon DEA amerikane, sepse Balili e ka filmuar Ramën në hotelin e “Santa Kuaranta”. Deklarata është një tjetër denoncim i fortë për lidhjet e Ramës me krimin e organizuar. Berisha ka denoncuar në Parlament se një qeveritar është filmuar në hotelin e Balilit me një femër, ndërsa sonte Basha ka bërë të qartë se kush fshihet pas asaj videoje.

Kryemadhi: Shqiptarët do të tërheqin zvarrë Ramën

Kryetarja e LSI, Kryemadhi deklaroi në “Opinion” se, shqiptarët do të ngrihen dhe do të tërheqin zvarrë Ramën njësoj sikurse tërhoqën zvarrë bustin e Enverit. Kryemadhi deklaroi se situata është mjaft e vështirë me krimin, por edhe me ekonominë. “Vendosja e taksës së TVSH-së biznesit të vogël do të bëjë që shqiptarët të mos kenë bukë të hanë dhe do të ngrihen të tërheqin zvarrë Ramën njësoj sikurse bënë me bustin e Enverit.

Keçi kërcënoi prokurorët e Antimafies italiane

Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Durrës.
Sipas të dhënave të para nga Policia lokale: Në pranga është vënë Durim Keçi, i dënuar me burg në shtetin fqinjë për disa akuza, mes tyre trafik droge e prostitucion.
Arrestimi i tij është bërë me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Keçi lëvizte me një automjet, në të cilin iu gjet një armë zjarri pa leje.

Mafiozi

Në Itali, 40-vjeçari konsiderohet si një nga personat më të rrezikshëm të mafies shqiptare.
Madje, gjatë një seance gjyqësore, Durim Keçi, i cili ka përdorur edhe emrin Gëzim Hajidini, ka kërcënuar prokurorët e Antimafias italiane.
Duke parë nga prokurorët Francesca Nanni dhe Silvio Franz, ai tha: Atyre të dyve do t’i bëja të ma paguanin shtrenjtë!
Në vitin 2006 në Itali, ka qenë i pandehur në një proces gjyqësor, por lirohet nga qelia për një gabim burokratik dhe ndaj tij vendoset një masë më e zbutuar sigurie. Nga masa e arrestit me burg, lihet në detyrim paraqitje dhe kështu arratiset.

Persona me imunitet kërkuan lirimin e Keçit

Arrestimi i Durim Keçit duket se ka shqetësuar persona me pozicione të larta në qeverinë e Edi Ramës, por edhe persona me imunitet.
Këtë deklaratë e ka bërë mbrëmjen e sotme në emision ‘Opinion’ gazetari Artan Hoxha, i cili tha se pas arrestimit të Durim Keçit ditën e djeshme, në Policinë e Durrësit kanë mbërritur persona me imunitet dhe me pozicione të larta.
Sipas tij, ky arrestim ka ngritur shqetësim. Hoxha mbështeti deklaratën e Bashës, i cili tha se nuk dihet nëse këta persona, që njihen si bosa, do të ekstradohen në Itali.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërBasha: Front antikrim, ndërtimi, banka e koncesionet në duart e krimit