Olsi Rama, ka kaluar kufirin, më datë 08.06.2014. Targa e makinës është AA 653 DN. Ka kaluar kufirin me datën 13.07.2014; më datën 08.08.2014; më datë 06.06.2014, më datë 11.07.2014 dhe me këtë makinë, kanë kaluar kufirin për transport droge të gjithë ata që janë “brenda”
Ish-Kryeministri Berisha ka zbardhur dje lidhjet e forta të Ramës me kokat e krimit të organizuar dhe trafikut të drogës në vend. Berisha denoncoi me fakte konkrete se si që me ardhjen e tij në pushtet nisi lulëzimi i trafiqeve të mëdha të kanabisit e kokainës, ku vëllai i tij Olsi Rama ishte në krye të bandave.
“Kjo është një seancë kushtuar problemit më themelor të demokracisë, zgjedhjeve në këtë vend. Ajo çka mund të them është se në vlerësimin ndërkombëtar, këto zgjedhje që kaluan, është më i keqi pas 2001 në historinë e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri.
Por unë do ndalem këtu lidhur me ligjëratën koprolalike të gjatë të kreut të qeverisë, për të cilin, në një orë diskutime, pyetje e me radhë, në Shqipëri nuk ekziston krimi, por është shpikje e opozitës, në Shqipëri nuk ekziston droga, sepse ai është sukses-madhi dhe kjo është krijesë e opozitës, në Shqipëri ekziston vetëm shteti, në fakt narko-shteti po për të është shteti. Pra, paraqiti një realitet, me të cilin çfarëdo që të them unë për të, përshkroi veten para shqiptarëve më bukur se kushdo tjetër, u përpoq të bëjë apologjinë e krimit, apologjinë e krimit, apologjinë e drogës, apologjinë e mjerimit, apologjinë e eksodit në mënyrën më të pakonceptueshme. Për Edi Ramën, Shqipëria është rozë, pasi ai dhe klanet e tij kriminale pasurohen çdo ditë”, tha Berisha.
Uzina e Kokainës në Elbasan dhe Olsi Rama
Një nga skandalet më të mëdha të qeverisë Rama, zbulimi i laboratorit të kokainës në Xibrakë të Elbasanit, i krijuar menjëherë pas ardhjes së Ramës në pushtet dhe lidhjet e Olsi Ramës në krye të grupit të trafikut të kokainës u cilësuan nga Berisha si dëshmia se si Rama është koka e trafikut dhe krimit në Shqipëri.
“Unë do ndalem pak, dhe ftoj shqiptarët të gjykojmë bashkarisht lidhjet e tij me krimin dhe korrupsionin. Sapo erdhi në pushtet, dhurata e parë që iu bë Shqipërisë ishte uzina e kokainës në Elbasan. Ju mund të më thoni se ai ishte kryeministër. Po, ai ishte kryeministër, por i vëllai i tij që quhet Olsi Kristaq Rama është gjetur në sistemin TIMS të kalojë kufirin me makinën e përshtatur për transportin e kokainës nga trafikantët: Ilir Hoxha, Gentian Gjonaj dhe Genci Xhixha.
I vëllai i Edi Ramës, Olsi Rama, ka kaluar kufirin me këtë makinë, më datë 08.06.2014. Targa e makinës është AA 653 DN. Ka kaluar kufirin me datën 13.07.2014; më datën 08.08.2014; më datë 06.06.2014, më datë 11.07.2014 dhe me këtë makinë, kanë kaluar kufirin për transport droge të gjithë ata që janë “brenda”, përveç këtij që është vëllai i kryeministrit dhe nuk mund të preket.
Tani unë i them këtij zotërisë: A është kjo një akuzë konkrete?! Dil dhe jep shpjegime. Pse yt vëlla në makinën e kokainës?
Në këtë platformë, unë kam deklaruar se yt vëlla ka ardhur me një bandë nga Bostoni, bandë, e cila merrej me trafik droge dhe trafiqe të pista, dhe mund të thuhet se ishte akuzë e përgjithshme. Unë e kisha të bazuar në burime. Tani na thuaj: A është yt vëlla Olsi Rama? Çfarë donte ai në makinën e drogës? Ai ishte një nga kryesorët e Xibrakës. Apo do të thuash si Xhafaj se ç’më duhet mua se ç’bën im vëlla?!” u shpreh ish-kryeministri.
Rama, koka e krimit
Berisha denoncoi me emra konkretë të gjithë të inkriminuarit me të cilët Rama erdhi në pushtet dhe me të cilët sot përmes terrorit po mban pushtetin. Berisha solli në vëmendje inkriminimi për herë të parë të Parlamentit ku njerëz me precedentë penalë u futën nga Rama në Parlament, u bënë kryetarë bashkish apo u emëruan në poste të larta publike.
Berisha u ndal tek skandali i fundit i bandës së Elbasanit si dhe lidhjet e Ramës me dhëndrin e Qazim Sejdinit dhe bandën kriminale të tij.
“Edi Rama kush i solli kriminelët në Parlament për herë të parë në historinë e Parlamentit? Arben Ndokën përdhunues; Mark Frrokun vrasës; Armando Prengën hajdut vilash dhe trafikant. I solli opozita këta? Apo i solle ti në këtë Parlament këta kriminelë. Pse i solle ti këta? I solle sepse për ty, për origjinën tënde prej bllokmeni, krimi i dobishëm është për t’u nderuar, krimineli i dobishëm është hero i vërtetë. Atëherë, a kam të drejtë të të quaj unë ty Edvin Prenga, Edvin Ndoka, Edvin Frroku? Kam shumë të drejtë. Ske denoncuar njërin prej tyre një herë. Shkojmë më tutje.
Javën e kaluar e deklarova se je kreu i meduzës. Je kreu i meduzës së krimit, po pse? A nuk je ti ai që rrahe gjoksin para shqiptarëve njëmijë herë për virgjërinë e Elvis Rroshit? Kur Elvis Rroshi del me pesë emra e tre procese, përdhunues, vrasës e trafikant. Zotëri, ti nuk je avokati zyrtar i tij, po je përfituesi kryesor i krimeve të tij, prandaj del dhe mashtron Kavajën dhe gjithë Shqipërinë. Ti je një Ervin Rrosh i vërtetë. A nuk erdhën ambasadorët e huaj dhe të kërkuan të mos kandidoje Artur Bushin dhe Lulzim Bashës i kërkuan të mos kandidonte një kryetar bashkie në një zonë të Jugut. Lulzim Basha menjëherë e hoqi nga lista, sepse përndryshe do ishte mbrojtja e tij, kurse ti jo vetëm që kandidove Bushin, por i shtove dhe një me shtatë emra në Laç. Atëherë më thoni, a nuk është ky nëna e krimit, a nuk është ky streha e krimit, a nuk është ky koka e krimit? Ky (Rama) i kishte të gjitha mundësitë t’i hiqte nga lista ata, siç bëri tjetri (Basha). Por përkundrazi.
Ti je Edvin Çela. Më thoni pak, Qazim Sejdinin kush e kandidon? Opozita apo e kandidon Rama. Kujt i paguan ai? Me kë e bëri fushatën, çfarë është Sonil Çela, kush e përcolli jashtë Sonil Çelën? E përcolli Edi Rama. Po pse? Sepse Edi Rama e di shumë mirë dhe me urdhër të tij, Policia e di që i ka miq ai.
Shkodra është në një terror që s’ka qenë kurrë në historinë e saj. Kurrë ndonjëherë qyteti i mijëvjeçarëve nuk ka qenë i lidhur me bandat si sot. Pse kjo? Pra, kërkonte të gjejmë lidhjet. Ja pra këto janë lidhjet zotërinj!”, u shpreh ish-kryeministri.
Pse kruhet Edi Rama? I vetmi shkak është kokaina
Në një tjetër replikë në Parlament, Berisha ka risjellë edhe njëherë në vëmendje varësinë totale të kryeministrit Rama nga lëndët narkotike e konkretisht kokaina.
“Mediat kanë shtruar një pyetje edhe gjysëm humoristike, e cila në pamje të parë kanë dhe një aspekt gjysëm komik le të themi. Por në të vërtetë mediat nuk e shtrojnë për komedi këtë pyetje, por e shtrojnë se ka një thelb:
Pse kruhet gjithë kohës kur flet Edi Rama?
Ka vetëm një shkak dhe kjo është kokaina. Lexoni që të gjithë ju.
(I drejtohet me gisht edhe deputetëve të PS).
E keni provuar një pjesë e mirë e juaja, ju njoh në fytyrë.
Lexoni të gjithë simptomat e kokainës. Mund të më thoni se është çështje personale. Jo. Por ky ka zgjedhur të kalojë dramën e sotme të shqiptarëve me vizat e kokainës!”