Të shkulim votën e lirë nga duart e krimit të organizuar

Jorida TABAKU

Dëgjova reagimin e Majkos që ekzistojnë një kategori njerëzish që shesin votën. Jo Majko nuk ekzistojnë një kategori njerëzish që shesin votën, por një kategori politikanësh që shkojnë dhe kërkojnë të blejnë votën. Ekziston një kategori politikanësh që shkon dhe sistematikish thotë votën ose dritat, votën ose legalizimin, votën ose lekët! E kjo është një fatkeqësi në Shqipërinë e 2017! Nuk na zgjedh ne krimi, por zgjedhim ne krimin aty ku nuk mund të fitojmë e ky është turpi i këtij Parlamenti, turpi i politikës sot! Është mëse e vërtetë që zgjedhjet dhe krimi nuk kanë qenë fort të distancuara edhe më parë, ka pasur forca politike që kanë përdorur krimin për të marrë pushtetin.
Ka pasur edhe forca politike që kanë futur pas hekurave të burgut grupet kriminale që bënin ligjin në Shqipëri. Por, në dijen time politike kurrë zgjedhjet nuk janë rrezikuar kaq haptazi nga krimi i organizuar Në vitin 2015, unë me shumë gjasa me naivitet mendova që raporti i OSBE nuk mund të ishte më i keq se aq. Qartësisht ai raport zgjedhor akuzoi qeverinë për gjithë skemën e manipulimit të ushtruar në rang kombëtar, Korça 2013 kishte evoluar në Shqipëria 2015.
Mirëpo qeveria e mori me lehtësi raportin dhe vazhdoi të këmbëngulte në sjelljen e saj! E Dibra 2016, evoluoi në Shqipëria 2017! Por raporti i këtij viti i OSBE-ODHIR ishte një procesverbal i plotë i gjithë abuzimeve nga fondet publike, shtrëngimin e administratës civile e deri tek kriminelët në Kuvend dhe fushatën elektorale.
Lexoni raportin e Këshillit të Europës se çfarë thotë për zgjedhjet në vendin tonë. Shumë prej vetë interlokutorëve të vëzhguesve i kanë transmetuar atyre se presioni nga ana e qeverisë ka qenë jo vetëm ndaj nëpunësve civilë, por edhe ndaj të punësuarve në sektorin privat. Raporti i Këshillit të Europës nënvizon se, persona me lidhje të forta me Krimin e Organizuar kanë ndikuar në procesin elektoral.
Sikundër për opozitën edhe për to, ky mbetet një shqetësim i madh, sepse disa prej këtyre personave dikur kanë qenë anëtarë të kësaj salle dhe janë përjashtuar me ligjin e dekriminalizimin e ndërsa sot vazhdojnë të jenë pjesë e strukturave të partisë politike në pushtet. Natyrisht, kjo që përmenda më sipër nuk është alibia ime për të justifikuar humbjen tonë.
Nuk jam prej tyre që fajin e nis nga tjetri pa parë më së pari nga gabimet e vetes. Mirëpo, kjo nuk zhbën atë që përmenda dhe është problemi themelor që sot për sot i kanoset shoqërisë sonë, është sëmundja që po ia merr frymën pak nga pak lirisë. Prandaj reshtni së menduari për pushtetin e sotëm, ka ardhur koha të hedhim hapat për reforma që do të ndryshojnë mënyrën se shqiptarët do të zgjedhin.
Kjo nuk ka të bëjë vetëm me formën e përzgjedhur për betejën e kandidatëve, por me detyrimin tonë për të krijuar mekanizmat ekuilibrues në një sistem zgjedhor që sot komandohet nga forcat politike, por që ne duhet t’ia kthejmë qytetarëve. Kështu që askush prej nesh apo prej jush të mos komprometojë votën e shqiptarëve dhe të vendosë interesat partiakë përpara zgjedhjes së tyre. Kjo duhet të jetë Shqipëria e 2017, Shqipëria në Europë!

Artikulli paraprakShkarko Gramoz Ruçin dhe Fatmir Xhafën
Artikulli tjetërRama fshehu në Holandë dy autorët që sulmuan Policinë në Elbasan