Afro 240 të vdekur në sulmin më vdekjeprurës në historinë e Mogadishu

Numri i të vdekurve nga pasojat e shpërthimit të së shtunës në Mogadishu, kryeqytetin e Somalisë, ka arritur në afro 240, ndërsa mbi 300 u plagosën, në sulmin më vdekjeprurës në historinë e vendit.
Zëvendëskryetari i Dhomës së Lartë të Parlamentit somalez, Abshir Mohamed i tha Shërbimit somalez se numri i të vdekurve është 237.
Presidenti i Somalisë, Mohamed Abdullahi Farmaajo, shpalli tre ditë zie ndërsa bëri thirrje për dhurim gjaku dhe ndihmë për viktimat e sulmit.
Ai u bëri gjithashtu thirrje qytetarëve të bashkohen kundër terrorit, duke thënë se është koha të bashkohemi dhe të lutemi së bashku. “Terrorizmi nuk do të fitojë”, tha Presidenti.
Ende askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin që ndodhi në një kryeqëzim të ngarkuar në kryeqytetin somalez, por grupi militant islamik Al Shabab, që është aleat me Al Qaedan, ka kryer rregullisht sulme në Mogadishu dhe në zona të tjera të vendit.
Abdulkaidr Mohamed Abdulle, korrespondenti i shërbimit somalez të “Zërit të Amerikës”, është mes të plagosurve. Gruaja e tij, konfirmoi për “Zërin e Amerikës” se ai ka pësuar plagë në kokë, qafë dhe në dorën e djathtë.
Sulmi u dënua ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara.

Artikulli paraprakBE mbështet perspektivën evropiane të Bosnjës
Artikulli tjetërLSDM fituese në shumë komuna të Maqedonisë