Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dëshmoi dje në Gjykatë ndaj Shullazit, duke nxjerrë bllof ish-ministrin Tahiri. Nikolla rrëfeu para trupit gjykues se si e mësoi lajmin për kërcënimin e Mynyr Konit dhe Dhori Kules. Ajo tha se kishte pasur një takim në Gardën e Republikës, bashkë me Tahirin, Dhori Kulen, Çakon dhe Ervin Hodajn, në kohën kur ish-Kryeministri Berisha bëri denoncimin e tij në media për këtë çështje.
“Ishte Majlinda Keta që më njoftoi për ngjarjen. Mora në telefon zotin Kule dhe më shpjegoi lidhur me kërcënimin ndaj Konit dhe ndaj tij. Kam kërkuar takim me zotin Çako dhe menjëherë ai më la takim tek Garda. Aty erdhi dhe ministri Tahiri, Kule, Hodaj. Ndërsa ishim në takim me Tahirin, Berisha doli në konferencë për shtyp dhe dha detaje nga kërcënimi”, është shprehur Nikolla, që me dëshminë e saj ka nxjerrë gënjeshtrat e Saimir Tahirit në seancën e kaluar.
Ish-ministri tha se, e kishte mësuar ngjarjen nga televizori, kur Sali Berisha doli në konferencë për shtyp. Për këtë, ai kërkoi të sillej në Gjykatë Sali Berisha si dëshmitar.
“Ngjarjen e kam marrë vesh nga denoncimi publik i bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha në konferencën për mediat”, është shprehur Tahiri në seancën e mëparshme gjyqësore në përpjekje për t’ia lënë Berishës lidhjen e Shullazit me ngjarjen. Në fakt përmendjen e Emiliano Shullazit, si autor të kërcënimeve e ka bërë Dhori Kule në takimet që ka pasur me Haki Çakon dhe drejtuesit e tjerë të policisë, kur aty ishte prezent edhe Tahiri.
Gjatë seancës së djeshme gjyqësore kanë dëshmuar edhe Mynyr Koni dhe ish-rektori Dhori Kule, si dhe drejtorit të Policisë së Tiranës Ervin Hodaj. Ata janë pyetur lidhur me kërcënimin e kandidatit Koni dhe rektorit në atë kohë Dhori Kule, në zgjedhjet e 14 prillit në Universitet. Sipas Rektorit Koni, në prill 2016, dy ditë para se të përfundonte gara është ndaluar nga disa persona me makinë, është futur në makinë dhe i është kërkuar të heqë dorë nga kandidimi.
“Me 14 prill disa persona rreth orës 20:30 më kanë kërkuar që të tërhiqem nga gara. Nuk i njoh personat që me kanë kërcënuar se ishte errësirë, një ditë më vonë paraqita dorëheqjen. Nuk e njoh Shullazin, kam dëgjuar për të vetëm nga media. Për kërcënimin kam vënë në dijeni Dhori Kulen”.
I pyetur dhe nga vetë i pandehuri, nëse personi që e kërcënoi ishte ai vetë, Koni nuk dha një përgjigje, duke u shprehur se nga media e ka marrë vesh që ka qenë Shullazi. E njëjta gjë është thënë dhe nga Dhori Kule. Ai ka treguar në Gjykatë se është vënë në dijeni të kërcënimit që ka pasur Mynyr Koni dhe ai vetë ka pasur një kërcënim të tillë. Persona me makinë e kanë ndaluar dhe i kanë thënë të mos ndikonte në dorëheqjen e Mynyr Konit. Por edhe Dhori Kule nuk ka thënë se ky person ishte Emiljano Shullazi, kur i është kërkuar ta identifikonte.
Edhe Ervin Hodaj ka thënë se është vënë në dijeni të kërcënimit nga drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako gjatë një takimi që ka pasur me ministren Lindita Nikolla. Dhe aty është dëgjuar nga Dhori Kule i është thënë që personi që e ka kërcënuar ishte Emiljano Shullazi.
Shullazi i kërkon llogari ish-drejtorit të Policisë në sallën e gjyqit
Emiljano Shullazi ka marrë vetë në pyetje ish-drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj në seancën e radhës në ngarkim të të akuzuarit për kërcënim të rektorit Mynyr Koni. Madje i pandehuri pyet ish-drejtuesin e lartë të policisë se mbi ç’baza dhe prova e ka vënë në pranga.
Debati
Shullazi- Ervin Hodajt: Te dëshmia në Prokurori the që emrin tim ta tha Koni në makinë, këtu po thua që e dëgjove në takim me ministrin, a ka mundësi ta ndash pak?
Hodaj: E kam dëgjur edhe te radio e policisë
Shullazi: Atë ditë që more Konin për kallëzim a më shoqërove dhe mua në polici?
Hodaj: E di që po
Shullazi: Pse s’u bë ballafaqim aty
Hodaj: Janë veprime procedurale
Shullazi: Ça thotë ky tani procedura, ky vetëm kaq ditka që më shoqëroi mua dhe mbaroi punë. Mirë, mirë vazhdo dëshminë. Si qenka kjo punë të përmendkan një emër dhe hajde ta shoqërojmë.