Antimafia italiane: Habilaj kishte monopolin e drogës nga Shqipëria

Prokuroria italiane e qytetit të Katanias në rajonin e Siçilisë, në deklaratën e saj zyrtare për mediat ka zbardhur detaje mbi operacionin “Rosa dei Venti”, i cili çoi në shkatërrimin e bandës italo-shqiptare, e cila merrej me trafikimin e marijuanës dhe të armëve nga Shqipëria drejt Italisë.
Arrestimet janë kryer më 14 tetor 2017 dhe 7 personat e arrestuar aktualisht ndodhen në dy struktura të vuajtjes së dënimit në qytetin e Katanias.
Grupi i shqiptarëve në këtë bandë drejtohej nga Moisi Habilaj, 39 vjeç. Ai së bashku me dy shqiptarët e tjerë të arrestuar janë lokalizuar në komunat Vittoria e Modica në provincën Raguzës dhe në qytezën Palagonia në provincën e Katanias. 4 shqiptarë të tjerë anëtarë të kësaj bande janë shpallur në kërkim. Ata nuk janë lokalizuar në territorin italian e autoritetet italiane të rendit do kërkojnë ekstradimin e tyre.
Hetimet e këtij operacioni kanë qenë mjaft të ndërlikuara, duke kërkuar përdorimin e teknikave të ndryshme të përgjimeve si telefonike ashtu dhe ambientale. Gjatë viteve të fundit, kjo bandë kishte vënë në kontroll importimin e marijuanës dhe armëve nga Shqipëria drejt Italisë, duke zotëruar tregjet e trafikimit të drogës në provincën e Raguzës, Katanias e Sirakuzës me një biznes përfitimi mbi 20 milionë euro.
Hetimet e gjata e të ndërlikuara kanë çuar në sekuestrimin si nga deti ashtu dhe nga toka të rreth 3500 kg marijuane e arrestimin e rreth 20 korrierëve të drogës. Grupi kriminal kishte në zotërim armë të tipit kallashnikov e municione të ndryshme. Moisi Habilaj ka shkuar disa herë në Itali për t’u kujdesur për trafikun e drogës, pas disa rasteve të goditura nga Guarda di Finanza. Në një rast, ai shkoi në Siçili me një bashkëpunëtor të quajtur Sabi Çelaj, të cilët udhëtuan me një makinë “Audi”, që i përkiste Saimir Tahirit dhe përdorej për drogë nga kushërinjtë e tij.
Pjesë e këtij operacioni ishte dhe sekuestrimi i kryer në maj të vitit 2015 në ujërat e Komunës Riposto, të një mjeti lundrues me 900 kg marijuanë dhe të dy armëve të tipit kallashnikov, karikatorë e qindra municione. Gjatë arrestimit, anëtarëve të bandës iu sekuestruan dhe 20 mijë euro. Kanabisi ishte destinuar për në Catania, Ragusa dhe Siracusa.
Në operacionin “Rosa dei Venti” të autoriteteve italiane u identifikuan 11 anëtarë të organizatës kriminale, nga të cilët u arrestuan 3 shqiptarë dhe 4 italianë. Ata janë Moisi Habilaj 39 vjeç, Maridian Sulaj 29 vjeç dhe Fatmir Minaj 55 vjeç, ndërsa italianët Antonio Riela 46 vjeç, Vincenzo Spampinato 44 vjeç, Gianluca Passavanti 37 vjeç u sekuestruan edhe 20 mijë euro cash. Përveç drogës, anëtarët e bandës kanë transportuar kallashnikovë dhe qindra municione.
Pjesë e dosjes italiane të grupit kriminal të Habilajve janë edhe katër persona të tjerë, të cilët janë shpallur në kërkim. Ata janë Nezir Seiti, Florian Habilaj, Sabaudin Çelaj dhe Armando Sulaj. Kreu i grupit të trafikut të drogës drejt Italisë ishte Moisi Habilaj, kushëri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Artikulli paraprakSi Tahiri u vu në mbrojtje të Shullazit, Nikolla e nxjerr bllof
Artikulli tjetër7 denoncimet e Berishës për mafien Rama-Tahiri-Habilaj