Parlamentarët danezë vizitojnë Tropojën, përballen me mjerimin e mungesën e shpresës

Një grup parlamentarësh danezë të cilët vizituan Shqipërinë shkuan në Tropojë për të parë nga afër realitetin e jetës së banorëve dhe shkaqet e emigrimit të tyre. Në këtë vizitë të organizuar nga deputetja e zonës Mimoza Hajdarmataj dhe ambasadori danez në Tiranë, z.Metz merrnin pjesë dhe kryetarë të njësive vendore. Në fshatrat e Tropojës si Margegaj, Bujan, Valbonë , Dragobi dhe të tjerë, deputetët danezë të Komitetit të çështjeve evropiane takuan dhe biseduan me banorët të cilët theksuan mungesën e ndihmës sociale, trajtimit mjekësor papunësinë, dhe varfërinë e tejskajshme që ata vuajnë çdo ditë. Në familjen Muldaka një nga djemtë tha se shkaku i ikjes në azil të dy vëllezërve të tij është gjendja ekonomike tejet e vështirë dhe papunësia në këtë qytet.
Deputetët danezë panë nga afër kushtet e një mjerimi të thellë ekonomik, si dhe u njohën për mungesën e mbështetjes minimale nga shteti për të siguruar ushqimet, si dhe braktisjen e strukturave të bujqësisë për fermerët e zonës . Në vizitat me banorët deputetët danezë pyetën të moshuarit mbi kushtet e trajtimit mjekësor, nivelin e pensionit dhe mënyrën si e përballojnë ata tarifat e pagesave të shërbimeve. Në vizitën në qendrën mjekësore të Dragobisë , delegacioni i parlamentarëve danezë u përball me mungesën e theksuar të ilaçeve, dhe pamundësisë së kushteve për të bërë trajtimin e duhur mjekësor veçanërisht të fëmijëve dhe të moshuarve.
Më pas ndalesa e radhës së deputetëve danezë ishte në shkollën e Dragobisë, ku kushtet e arsimimit të fëmijëve janë aspak të përshtatshme. Mësuesit i bënë me dije deputetëve danezë dhe kryetares së delegacionit , se prindërit i rrisin fëmijët në sakrifica të mëdha dhe me mungesa të shumta. Deputetja daneze i dhuroi shkollës librin e përrallave të shkrimtarit të famshëm Andersen. Në fund të vizitës kryetarja e Komitetit të çështjeve evropiane në Parlament in danez, znj. Mette Gjerskov tha se është e emocionuar nga natyra e mrekullueshme e zonës por vëren me shqetësim pabarazinë sociale.
Vërej se në Shqipëri pak njerëz janë të pasur dhe shumë të tjera në varfëri të madhe tha deputetja daneze Mete. Deputetja e Tropojës Mimoza Hajdarmataj tha se shteti vijon të braktisë banorët e Tropojës duke i lënë ata në mjerim dhe pa shpresë. Këtu nuk ka asnjë investim serioz publik që të lehtësojë sadopak jetën e banorëve të cilët paguajnë edhe me borxhe çdo faturë. Banorët tha deputetja Hajdarmataj i shprehën vetë deputetëve danezë, arsyet pse emigrojnë, pasi në këto zona nuk ka punësim, mbështetje sociale dhe mundësitë për agrobiznesin janë inekzistente. Unë shpresoj shumë që nga bashkëpunimi mes deputetëve shqiptarë dhe ata danezë të mundësohen projekte zhvillimi për zonat veriore dhe verilindore.

Artikulli paraprakHamilton rikthehet frikshëm në Spanjë
Artikulli tjetërXhelili shpallet Heroi i Partisë Siçiliste