Bomba e Kimit nuk është bllof

Eric Terzuolo

“A riddle wrapped in a mystery inside an enigma”. Me këto fjalë, në tetorin e vitit 1939, Winston Churchill përshkruante Rusinë staliniane. Ka që do ta riciklonin për bukuri këtë metaforë për Korenë e Veriut të ditëve tona. Paralel ndoshta i justifikueshëm kur flitet për synimet e regjimit të Phenianit. Kurse për sa i përket arsenalit bërthamor e raketor të Kim Jong-un, mund të bëjmë një kuadër mjaftueshmërisht konkret për të vlerësuar në mënyrë më të urtë opsionet politike dhe ushtarake që «bashkësia ndërkombëtare» ka në dispozicion. Me pak fjalë, duhet të sillemi «sikur Kim t’i kishte mundësitë» që të godiste, me një forcë shpërthyese të krahasueshme me bombën atomike të Hiroshimës, objektiva apo qendra popullsie në Korenë e Jugut, në Japoni, në territorin amerikan të Guam (që ka baza të rëndësishme ushtarake), në një pjesë të madhe të Shteteve të Bashkuara kontinentale dhe, në rast se do të ndërmerrte një politikë më të fortë kundër Koresë së Veriut, edhe Kinën, që në ëndërrat uashingtoniane duhet ta zgjidhë në mënyrë të sjellshme problemin koreanoveriorë për llogari të të gjithë neve. Veç kësaj, duket se mendojmë se, në mos sot, të paktën brenda një periudhe afatshkurtër, Kim do të disponojë armë termobërthamore të përdorshme, të fuqishme ndoshta 10–20 herë bomba e Hiroshimës. Jo rastësisht, testi bërthamor koreanoverior i 3 shtatorit ka ngjallur vëmendje të veçantë. Një hop i vërtetë cilësor, sigurisht për sa u përket kapaciteteve teknike të Koresë së Veriut.
Comprehensive Test Ban Treaty Organization (CTBTO), ent ndërkombëtar me 183 vende anëtare dhe pothuajse 300 stacione monitorimi sizimik në dispozicion, konfirmon se testi i fundit ka shkaktuar një tërmet me magnitudë 6.1. Testi i mëparshëm atomik koreanoverior, në shtatorin e 2016, kishte regjistruar një magnitudë 5.1. Mund të mos duket diferencë e madhe, por nëse kësaj shkalle i shtohen 1.0 pikë magnitude nënkupton një lëshim energjie rreth 32 herë më të madh. Sigurisht, ka elementë paqartësie. Do të ishte e dobishme të diheshin, por nuk do t’ia arrinim kurrë, nëse dy bombat do të vendoseshin në tunel me të njëjtën thellësi nëntokësore. Një bombë e vendosur 600 metra nëntokë prodhon një efekt sizmik më të madh sesa një bombë e ngjashme e vendosur në 900 metra. Prandaj është oportune që të mos ekzagjerohen vlerësimet e fuqisë së arritur në testet e veçanta. Por duket qartë se, nuk po flasim më për një bombë të krahasueshme vetëm me ato të Hiroshimës e Nagasakit, të vlerësuara në 15 – 20 kiloton – 1 kiloton përfaqëson një forcë shpërthyese prej 1000 ton tritol. Është e arsyeshme të mendohet se bomba e re ka një fuqi midis 100 dhe 300 kilotonëve, domethënë nga 5 deri në 20 herë më shumë se ato të hedhura në Japoni. Kurse testet koreanoveriore të 2016 kishin në fakt fuqi të vlerësuara midis 7 dhe 25 kilotonëve. Një rritje dramatike gjatë një viti është e shpjegueshme vetëm me një kalim nga armët atomike «tradicionale» në ndonjë formë arme termobërthamore apo me fizion të shtuar (boosted fission). Pheniani nuk ka shumë testate atomike sa të mund të lejojë luksin që të shpërdorojë një dyzinë syresh për të zhvilluar një test jashtëzakonisht mbresëlënës.
Kujtojmë se armët atomike «tradicionale» shfrytëzojnë fizionin e bërthamave atomike, ndërsa ato termobërthamore – po mendojmë për Bombën Bomba H – bazohen mbi fizionin e bërthamave të hidrogjenit, siç ndodh në Diell. Një reaksion i tillë çliron një sasi energjie shumë më të madhe sesa fizioni. Por sfidat teknologjike janë edhe më të mëdha. Armët termobërthamore në arsenalet e fuqive kryesore bërthamore, të quajtura shpesh two-stage fission-fusion weapons, duke përdorur një shpërthyes atomik (domethënë me fizion) për të krijuar temperaturë jashtëzakonisht të larta që favorizojnë fizionin e bërthamave. Pheniani do të na bëjë të besojmë se i posedon tashmë armë të këtij lloji, me fuqi të llogaritshme në mijëra kiloton (të quajtur megaton). Por kjo nuk duket se qëndron në kapacitetet teknologjike koreanoveriore. Por bëhet fjalë për teknologji të kolauduara, që teknikët e Phenianit mund të vijë një ditë që t’i posedojnë.
Bomba e re koreanoveriore ka mundësi që t’i përkasë kategorisë së armëve single-stage. Për shembull, mund të injektojë triter dhe deuter, izotopë (variante) të hidrogjenit me neutrone «ekstra» në qendër të një bombe me fizion për ta rritur fuqinë e shpërthimit. Dimë edhe se qysh në vitet ’50 si Bashkimi Sovjetik, ashtu edhe Mbretëria e Bashkuar kanë shpërthyer bomba të ndërtuar me shtresa, me bërthama plutoniumi të rrethuara nga kapsula alternuese uranium të pasuruar dhe përzierje me litium e deuter apo triter. (Koreja e Veriut i disponon materiale të tilla). Testi sovjetik ka gjeneruar një shpërthim prej 400 kilotonësh, ai britanik edhe disa qindra kilotn. Me pak fjalë, e krahasueshme me atë që prodhoi testi i fundit koreanoveriore. Sa për të krijuar një ide, duke përdorur një simulator të efekteve të shpërthimeve bërthamore lehtësisht të gjetshëm në internet, një bombë 250 kilotonëshe e shpërthyer sipër Los Angeles do të shkaktonte rreth 350 000 të vdekur dhe 850 000 të plagosur nga shpërthimi, nga vala goditëse, nga nxehtësia dhe nga rrezatimet rezultuese. Mbresëlënëse.
Por, ndershmërisht, nuk ka rëndësi shumë nëse Koreja e Veriut disponon apo jo një armë termobërthamore efikase dhe ushtarakisht të përdorshme. Padyshim që do të ishte një xhevahir i Kim Jong-un, por duhet nënvizuar se bombat atomike «banale», me 15 – 20 kilotonët e tyre, janë pothuajse të mjaftueshme si armë frikësuese. Një shpërthim 20 kilotonësh sipër qendrës së Los Angeles do të shkaktonte rreth 100 000 të vdekur dhe 200 000 të plagosur, sipas simulatorit të sipërpërmendur. Për cilin President amerikan, edhe për Donald Trump, kjo mund të përfaqësonte një rrezik në një farë mënyre të pranueshëm? Siç na mësonte i madhi Thomas Schelling, që ka ndërruar jetë vitin e kaluar në moshën 95-vjeçare, nuk hyn në punë të mund të fitosh një luftë bërthamore për të ushtruar frikësimin. Mjafton ta vësh kundërshtarin përpara rrezikut të humbjeve të papranueshme për të. Në këtë optikë, qysh sot, Kim Jong-un disponon një frikësues bërthamor efikas. Në fakt është e arsyeshme të mendohet se, për fundin e 2017, Pheniani do të disponojë 15–35 armë atomike me fizion dhe se mund të shkojë në 25 – 5- brenda vitit 2020.
Faktori kryesor që kufizon prodhimin e armëve të tilla është gjetshmëria e materialit fizibël, domethënë e plutonoiumit dhe e uraniumit të pasuruar, lëndët e para për shpërthimet bërthamore. Plutoniumi prodhohet në reaktorin e vetëm bërthamor koreanoverior (prej 5 megavatësh), karakteristikat teknike e të cilit janë të njohura. Domethënë, dimë sesa plutonium mund të prodhojë në një vit. Me atë reaktor, në kompleksin e Yõngbyõn ka edhe një impiant për pasurimin e uraniumit. Së bashku prodhojnë materialin e mjaftueshëm fizibël për ndoshta 3 bomba në vit. Inspektorë ndërkombëtarë kanë mund ta vizitojnë kompleksin Yõngbyõn në të kaluarën, megjithëse jo në kushte të transparencës së plotë. Ky vend mbetet edhe nën vëzhgim me mjete teknike edhe kur koreanoveriorët, siç bëjnë aktualisht, ua mohojnë aksesin inspektorëve. Pastaj, ka shumë të ngjarë që të jetë në funksionim një impiant i dytë pasurimi «sekret», me karakteristika të ngjashme me impiantin e Yõngbyõn. Në këtë rast, prodhimi i armëve mund të afrohet në 5 për vit dhe, për pasojë, mund të arrihet në 50 bomba brenda vitit 2020. Potencialisht edhe në 60, në rast se koreanoveriorët do të arrinin të vinin në funksionim Experimental Light Water Reactor, edhe ai i ndodhur në Yõngbyõn, që do të ishte në gjendje të prodhonte plutonium të mëtejshëm.
Për të qenë të qartë: nuk e njohim me përpikmëri dhe ka mundësi nuk do të jemi në gjendje asnjëherë ta njohim siç duhet entitetin dhe karakteristikat e arsenalit bërthamor koreanoverior. Ama është e mundshme të bëhet një vlerësim sesa material fizibël Pheniani ka mundur të prodhojë në të kaluarën dhe sesa mund të prodhojë në të ardhmen. Pastaj, e dimë me saktësi të lartë sesa material fizibël është i nevojshëm për të realizuar reaksionin zinxhir që shkakton shpërthimin bërthamor. (Në linjë të përgjithshme, duhen 3 – 4 kilogram plutonium apo 15 – 20 kilogram uranium të pasuruar). Me këto të dhëna, mund të bëjmë atë që në anglisht quhet educated guess, një vlerësim i arsyeshëm. I mirëarsyetuar, sigurisht, por me limitet e tij. Nëse pranojmë, siç do të duhet, që Pheniani disponon një arsenal bërthamor, ky sigurisht që është më i vogli i arsenaleve të fuqive të tjera faktike, domethënë jo të njohura zyrtarisht nga Traktati i Mosproliferimit, që ka hyrë në fuqi në 1970. Sipas Arms Control Association, OJQ historike amerikane, India duket se ka aktualisht 130 armë bërthamore, kundrejt 140 të Pakistanit dhe 80 të Izraelit. Por do të ishte e arsyeshme të konsiderohej Koreja e Veriut një fuqi bërthamore faktike e barabartë me këto të tjerat, bile edhe me ndonjë avantazh me rëndësi të konsiderueshme. Testet raketore koreanoveriore të 2017 kanë qenë ndoshta më domethënëset në nivel strategjik se suksesi megjithatë i konsiderueshëm me armën termobërthamore. Qysh në 2016 ishte parë një rritje e madhe e aktivitetit koreanoverior. Përveç dy testeve bërthamore, janë regjistruar lëshime prove raketash balistike me rreze të shkurtër (rreze jo më shumë se 1000 kilometra), me rreze të mesme (rreze midis 1000 e 3500 kilometrave, për t’u lëshuar si nga toka, ashtu edhe nga nëndetëset) dhe me rreze të ndërmjetme (rreze 3000 – 5000 kilometra), përveç lëshimit në orbitë të një sateliti, duke përdorur një vektor me rreze ndërkontinentale, i përshtatur për qëllime ushtarake.
Në 2017, Pheniani ka privilegjuar teste vektorësh me rreze mesatarisht më të mëdha. Janë për t’u nënvizuar dy risi kryesore: Hwasõng-12 (rreze 4500 kilometra) dhe Hwasõng-14 (rreze e supozuar mbi 10000 kilometra). Rasti Hwasõng-12 është jashtëzakonisht interesant. Midis 5 prillit dhe 15 shtatorit janë kryer 6 lëshime provë. Fakti që kanë vazhduar pas 3 dështimesh fillestare të bën të mendosh se ky vektor përfaqëson një investim shumë të rëndësishëm për regjimin e Kim Jong-un. Pastaj, interesante është se për testin e fundit, kur raketa ka fluturuar me 3700 kilometra në orë, duke arritur lartësinë 770 kilometra në apogjeun e harkut balistik, duke rënë në det 2200 kilometra në lindje të Japonisë, është përdorur jo me rampë lëshimi fikse, por me mjetin e quajtur Transporter Erector Launcher (TEL), që është mobil dhe mund të udhëtojë mjaft mirë në rrugë. Kjo të bën të mendosh se autoritetet e Phenianit e konsiderojnë tashmë të besueshëm sistemin e drejtimit të Hwasõng-12, anipse raketa duhet konsideruar ende në fazë prove. Rrezja duket se shtrihet deri në ishujt e Alaskës dhe qetësisht deri në Guam.
Edhe dy testet e Hwasõng-14, padyshim raketë kontinentale, kanë dalë mirë, sidomos i dyti, i bërë me 28 korrik. Teknikët koreanoveriorë dukshëm që kanë përmirësime të konsiderueshme pas testit të 4 korrikut (festa kombëtare amerikane….!!!), Hwasõng-14 versioni i fundit, duke përdorur një trajektore relativisht të «sheshtë» për të maksimalizuar rrezen, do të ishte në gjendje të godiste pjesën më të madhe e Shteteve të Bashkuara kontnentale, sigurisht Bregun Perëndimor e populluar, por edhe Chicago e, potencialisht, New York. Mund të konsiderohet akoma në fazë zhvillimi, por duket një hap i rëndësishëm përpara për Korenë e Veriut.
Në 2017 janë regjistruar edhe rezultate të tjera të rëndësishme në fushën raketore, përfshi dy teste të përfunduara mirë të Kn-15 (Pukku˘ksõng-2), tjetër raketë mobile e lëshuar nga TEL-i me rreze të vlerësueshme midis 1200 e 2000 kilometrave. Bëhet fjalë për një version eksplicit «tokësor» të KN-11 (Pukku˘ksõng-1), vektor i projektuar për t’u lëshuar nga nëndetëse, test me një farë suksesi në 2016, që mund të futet në shërbim në 2020. Të gjithë vektorët e sipërpërmendur janë projektuar për të mbajtur testate bërthamore. Kurse për sa u përket raketave balistike aktualisht në shërbim, arsenali koreanoverior përfshin:
• KN-02, version koreanoverior i SS-21 Scarab rus, i siguruar ka mundësi nga Siria në vitet ’90. Rrezja 120 – 170 kilometra. Versioni rus mund të mbajë testata bërthamore me fuqi 100 kiloton.
• Hwasõng-5, variant i Scud B rus të blerë nga Egjipti dhe i nënshtruar inxhinierisë inverse. Rrezja 300 kilometra. Në gjendje që të mbajë testata kimike dhe biologjike.
• Hwasõng-6, variant i Scud C rus me rreze të përmirësuar krahasuar me Hwasõng-5 (500 kilometra).
• Hwasõng-9, i quajtur edhe Scud–Extended Range, version i përmirësuar i Hwasõng-6 (rrezja 800 – 1000 kilometra).
• Rodong-1, tjetër version i përmirësuar i Hwasõng-6, ndoshta falë bashkëpunimit me teknikët rusë e kinezë. Rrezja 1200 – 1500 kilometra. Në gjendje që të mbajë testata bërthamore.
• Taepodong-2, vektor ndërkontinental (rrezja 4 – 15000 kilometra), i konsideruar në gjendje të mbajë testate bërthamore. Version ushtarak i Unha-3, i zhvilluar nga Koreja e Veriut duke shfrytëzuar pjesërisht teknologji tashmë në posedim të saj. Vektor me 3 module, i përdorur me sukses qysh në 2012 për të lëshuar një satelit orbital dhe për lëshimin e sipërpërmendur satelitor në 2016.
Domethënë, Pheniani disponon tashmë vektorë me karakteristika për të goditur me armë bërthamore të ndryshme objektivë të rëndësishëm të ndryshëm. Përveç atyre të përmendura më shpesh sot, si Seulin, Tokion dhe bazat ushtarake në Japoni dhe në Guam, duhet të përfshijmë në listë edhe ishujt Havai, Alaskën dhe ndoshta 2 apo 3 shtete të Shteteve të Bashkuara kontinentale. Dhe nuk duhet të harrojmë Kinën dhe (ka pak të ngjarë) Rusinë, përveçse Europën, duke qenë se Roma, sa për të dhënë vetëm një shembull, është më pak se 9000 kilometra në vijë ajrore nga Pheniani, shumë brenda rrezes së hipotezuar të Taepodong-2. Është jashtëzakonisht e vështirë të dihet sesa raketa me këto tipologji të ndryshme ka konkretisht në dispozicion Pheniani. Nga ana tjetër, numri i bombave bërthamore është mjaft i reduktuar. Për të ushtruar një frikësim efikas, mund të mjaftojë një numër modest vektorësh me testate bërthamore. E rëndësishme është që të jenë efikase e të besueshme dhe mundësisht të mos jenë të lehta për t’u shkatërruar me një aksion paraprak. Vektorë të caktuar koreanoveriorë nuk kërkojnë rampa fikse lëshimi. Transportohen dhe lëshohen duke përdorur automjete speciale. Një mobilitet i tillë do t’i bënte të vështirë tentativa të tilla për t’i neutralizuar paraprakisht. Natyrisht që kjo vlen edhe për raketat e lëshuara nga nëndetëset.
Jemi plotësisht të sigurtë se në këtë moment Pheniani disponon raketa me testata bërthamore, të gatshme për t’u lëshuar? Sinqerisht, jo. Hans Kristensen dhe Robert Norris, ndër ekspertët më të mëdhenj të fushës, megjithëse duke hipotezuar se një arsenal bërthamor koreanoverior me 20 bomba në mesin e vitit 2017, nënvizojnë se mbetet e paqartë deri në çfarë pike Koreja e Veriut i ka transformuar eksplozivët e saj bërthamorë në armë konkretisht të përdorshme në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe nëse armë të tilla janë apo jo faktikisht të dislokuara (deployed). Faktikisht, në analizën e tyre, Koreja e Veriut nuk klasifikohet akoma si shtet me një forcë ushtarake bërthamore të vetën. David Albright i Institute for Science and International Security, i njohur për analizat teknike të tij, në fakt shtyhet akoma më tej. Pikërisht, me 13 shtator, përpara një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve, Albright theksoi se «Koreja e Veriut duket se ka një familje armësh me fuzion bërthamor relativisht të besueshme, me një forcë shkatërruese të barabartë me atë të bombës së Hiroshimës, ku është përdorur si plutonium, ashtu edhe uranium i pasuruar. Armë të tilla janë miniaturizuar dhe mund të vendosen në raketa të ndryshme balistike».
Në kërkim të ndonjë ngushëllimi, ekspertët na kujtojnë shpesh se miniaturizimi, domethënë krijimi i bombave bërthamore aq të vogla sa të futen nëpër testatat e raketave, përfaqëson një sfidë të konsiderueshme teknike. Veç kësaj, rifutja në atmosferë pasi kanë arritur apogjeun e harkut balistik i vendos testatat në stres mekanik dhe termik të jashtëzakonshëm, sa që mund t’i dëmtojnë eksplozivët bërthamorë. Irani e ka mësuar sesa mund të jetë e vështirë «mbijetesa» e testatave bërthamore, po të gjykosh nga një raport mbi kërkimet iraniane të botuar në 2011 nga Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), që ishte vënë në posedim dokumentash të brendshme iraniane. Nuk e dimë se deri në çfarë pike teknikët e Phenianit i kanë zgjidhur probleme të tilla. Për sa u përket raketave, mund të njohim shumë detaje nga lëshimet provë, falë mjeteve teknike të rilevimit dhe vëzhgimit. Por nuk dimë se çfarë përmbajnë testatat. Pesha është e krahasueshme me atë të testatave që përmbajnë bomba bërthamore? Apo janë bosh? Kjo padyshim që u vendos limite tentativave të llogaritjes së rrezes të vektorëve të tillë në rast të një përdorimi eventual ushtarak.
Por, ndershmërisht, këto diskutime, siç thuhet në Amerikë, duken down in the weeds, domethënë të rrethuar nga barishte që nuk lejojnë të shikohen qartë gjëra thelbësore. Koreanoveriorët kanë arritur vitet të fundit të zgjidhin shumë probleme. Kapacitetet teknike dhe ato të të mësuarit nuk mungojnë. Dhe sigurisht që nuk mungojnë as motivacionet. Për shembull, të mbrosh regjimin e Kim Jong-un me një forcë bërthamore frikësuese. Ose të shesës raketa jashtë vendit për të grumbulluar valutë. Nuk është oportune t’i besohet siguria jonë shpresës, ka mundësi e pabazuar, se koreanoveriorët nuk e kanë zgjidhur dhe se nuk do t’ia arrijnë në të ardhmen që të zgjidhin problemet teknike që vende të tjera tashmë i kanë zgjidhur. Është me kuptim, bile e urtë, të pranosh si të dhënë faktike që Koreja e Veriut ka hyrë në klubin e fuqive ushtarake bërthamore. Sipas shumë gjasave, eksplozivët bërthamore, të krahasueshëm me fuqinë e bombës së hedhur në Hiroshimë, janë në sasi të caktuara. Ka shumë probabilitet që Pheniani të disponojë edhe vektorë në gjendje që të godasin, me testata bërthamore, objektiva me vlerë për vendet më të rëndësishme kundërshtare. Bomba termobërthamore e shpërthyer kohët e fundit përfaqëson më shumë se çdo gjë tjetër qershinë mbi tortë. Për momentin, ka pak rëndësi që nuk bëhet fjalë për një bombë të krahasueshme me atë të arsenaleve të Shteteve të Bashkuara dhe të fuqive të tjera bërthamore të njohura zyrtarisht. Duhet supozuar se Koreja e Veriut është në gjendje t’i zgjidhë problemet kryesore teknike që ndoshta ende nuk i ka zgjidhur. Domethënë, të mos i hahet haku Kim Jong-un, sigurisht diktator eksentrik, ndoshta edhe i prekshëm nga pikëpamja emotive, por edhe smart and strategic.

Eric Terzuolo është një diplomat amerikan në pension, që nga viti 2010 drejton Kursin për Europën Perëndimore pranë Foreign Service Institute në Washington

Përgatiti
ARMIN TIRANA

 

Artikulli paraprakSi e vrau Facebook-u gazetarinë
Artikulli tjetërParlamenti po provokon popullin