Ish-¬Kryeministri, Sali Berisha akuzon qeverinë dhe Policinë e Shtetit se kanë lejuar Klement Balilin që të dalë nga Shqipëria pa lënë gjurmë në sistemin TIMS. Sipas Berishës, Balili është nisur drejt Kubës, por fillimisht ka ndaluar në Vietnam. Berisha citon burime të mirëinformuara të cilat bëjnë të ditur se me të njëjtin skenar, ashtu siç u lejuar arratisja e Arben Frrokut, është lejuar edhe arratisja e Klement Balilit.
“Edvin Shullazi përcjell Edeskobar-in me nderime shtetërore drejt Hanoit me destinacion Kubën! Edvin Shullazi, pas zbulimit nga autoritetet greke dhe amerikane të Edeskobarit, mikut të ngushtë të Edi Ramës dhe sivëlla Kokëdhimës, njoftoi shqiptarët nëpërmjet Saje Qorrit se prej kohësh policia shqiptare po bënte hetime rreth grupit në fjalë. Me këtë dezinformim të Saje Qorrit, me të cilin Rama kërkonte të mashtronte opinionin publik brenda dhe jashtë vendit për lidhjet e tij dhe sivëlla Kokëdhimës direkte me Edeskobar-in, pardje, Rama përcolli me “nderime” shtetërore, pa e regjistruar në sistemin TIMS, Edeskobar-in drejt Kubës, drejtim në të cilin nisën edhe Arben Frrokun, por që ky nuk zbatoi porosinë dhe u kthye në Holandë, në vendin e krimit ku dhe e arrestuan. Edeskobar, thanë burime të informuara mirë, është nisur për në Hanoi nga do të kalojë direkt për në Kubë. Në ishullin e Karaibeve ai do të jetë nën mbrojtjen dhe kujdesin e Genti Xhixhës.
Vetëm 24 orë pas largimit me nderime shtetërore të Edeskobar-it nga Shqipëria dhe 72 orë pas denoncimit nga unë të lidhjeve të tij me Ramën dhe sivëlla Kokëdhimën ky i fundit reagoi ndaj akuzave të mia duke ja faturuar Edeskobar-in Metës, që është në Washington. Madje në reagimin e tyre të trashë, sivëllezërit shkuan aq larg saqë deklaruan se unë gjoja paskërkam bërë fjalë për një hotel që ai paskërka me Ilir Metën. Lidhur me sa më sipër deklaroj sa vijon:
– Edeskobari ka patur lidhje shumë të ngushta me Ramën dhe sivëlla Kokëdhimën dhe për këto ka fakte të pakundërshtueshme!
– Edeskobari mund të jetë edhe vëlla me Ilir Metën, por se ai ishte prej kohësh në hetim nga policia shqiptare nuk e tha Edmond Panariti, por e tha Saje Qorri.
– Edeskobari mund të jetë njeri i afërt me Ilir Metën, por me nderime shtetërore e përcolli për në Kubë Edi Rama nëpërmjet Saje Qorrit dhe jo Ylli Manjanit apo Petrit Vasilit.
Së fundi, reagimi i vonuar ndaj akuzave të mia, vetëm pas largimit të Edeskobarit nga Shqipëria, të sivëlla Kokëdhimës dëshmon se ata nuk guxuan ta shesin atë tek Meta sa kohë ai ishte në Shqipëri” shkruan Berisha në reagimin e tij.
Të enjten familjarët pohuan “zhdukjen” e Balilit
Që prej ditës së enjte, pas shkarkimit nga posti i kreut të Transporteve në Sarandë, Klemend Balili u zhduk pa lënë gjurmë. Sipas gazetës Panorama e cila kishte kontaktuar me familjarët e ish-drejtorit, citoi se kishin thënë se nuk kishin mundur ta kontaktonin që prej ditës së enjte.
Të enjten në mëngjes, mësohet se Balili kishte shkuar në punë ku kishte paraqitur kërkesën për dorëheqje, kërkesë e cila nuk ishte pranuar dhe më pas kishte ardhur shkresa për shkarkimin e tij nga detyra.
Familjarë të Balilit, kanë treguar se ditën e enjte ai ishte nisur për në Tiranë, por që prej atij momenti, ata nuk kanë mundur të kontaktojnë me të.
Shtypi grek ka shkruar për Balilin duke e cilësuar si ‘Escobari i Ballkanit’, që drejton organizatën kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës në vendet e Europës Qëndrore dhe në shtete nordike.
Sakaq, Greqia ka lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar për të, ndërsa në Shqipëri, Policia nuk nisi asnjë operacion për kapjen e tij.
CNN rikonfirmon: Policia shqiptare tha “nuk e arrestojmë Balilin se ka lidhje politike”
Rrjeti televiziv i përgjigjet letrës së ambasadës shqiptare në Athinë, duke ju referuar një takimi sekret në Shqipëri, mes policisë shqiptare dhe asaj greke. “Përfaqësuesi i palës shqiptare tha se Balili nuk mund të preket se ka lidhje të forta politike”. Në Greqi, portali informativ CNN.Gr dhe Ambasada shqiptare në Athinë janë përfshirë në replika mbi dyshimet se shqiptari Klement Balili që cilësohet “si truri” i trafikimit në Greqi të 700 kg marijuanë mbrohet nga politikanë të lartë në Tiranë. Pas një shkrimi të CNN në gjuhën greke ku thuhej se oficerë të policisë shqiptare u kishin deklaruar partnerëve greke gjatë një takimi sekret në Shqipëri se “baronin shqiptar” nuk mund ta arrestonin për shkak se ai kishte mbrojtje politike ne Tiranë, reagoi zyrtarisht Ambasada shqiptare në Athinë. Përmes një letre të nënshkruar nga drejtuesi i zyrës së ndërlidhjes të policisë shqiptare në Ambasadën shqiptare në Athinë, Andi Likaj, vihej në dukje se asnjë pjesëtar i policisë shqiptare nuk ka deklaruar që baroni i drogës ka mbrojtje politike në Tiranë. Sipas letrës së Ambasadës shqiptare drejtuar CNN GR , Policia shqiptare, ashtu si çdo pjesëtar i saj që ka hetuar çështjen në fjalë, nuk ka bërë një deklaratë të tillë, ndërsa ka bërë çdo përpjekje për hetimin dhe asgjësimin e organizatës”. Portali informativ CNN GR e ka publikuar reagimin e Ambasadës shqiptare shoqëruar me faksimilen e letrës . Por menjëherë ka publikuar edhe një reagim ku ripërsëritet se CNN GR i është referuar sipas burimeve të tij një takimi tejet sekret në Shqipëri, mes policisë greke dhe asaj shqiptare. Në këtë takim sipas CNN GR një pjesëtar i palës shqiptare ka thënë se “në Shqipëri nuk mund të preket ky njeri , veçse po të ketë fakte të pakundërshtueshme, sepse ai ka lidhje politike dhe kontake me parti e politikanë të nivelit të lartë”. Sipas dosjes, ka ripërsëritur CNN GR, personi rezultonte të ishte financier i kartelit dhe organizator per transportimin e 700 kg marijuane në Greqi që anëtarët e organizatës kriminale e fshehën në ishullin Zakynthos. “Hetimi narkotikëve ishte nën fshehtësisë ekstreme dhe vizita nga policia greke në Shqipëri ishte absolutisht sekret i papërshkueshëm, sidomos pas asaj që ata dëgjuan nga të dhënat për organizatorin e kartelit”, nënvizon portali CNN Gr në reagimin e tij pas letrës së ambasadës Shqiptare në Athinë. Për lidhje të Balilit me politikën shqiptare ka folur edhe opozita shqiptare. Pas njoftimeve se Balili është zhdukur pa lënë gjurmë, kryetari i opozitës Lulzim Basha deklaroi mbrëmë se “me bekimin e ministrit të Brendshëm dhe nën mbrojtjen e policisë Klement Balilaj prej dy ditësh është arratisur dhe nuk gjendet. Loja me ka kërkesë, s’ka kërkesë, ka dosje, ska dosje, është nën hetim, nuk është nën hetim, është i PS, është i LSI-së, nuk është gjë tjetër veçse dhënie kohe Klement Balilajt për të kryer pikërisht këtë akt, arratisjen. Balili konsiderohet si ndër krerët e një grupi trafiku me një rrjet të shtrirë në disa vende të Bashkimit europian. Sipas Europolit, organizata europiane e zbatimit të ligjit, 17 persona, pjesë e një rrjeti ndërkombëtar që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike u arrestuan më 9 maj, në një operacion të bashkërenduar të drejtuar nga Greqia dhe me mbështetjen e Belgjikës dhe Europolit. Mes të arrestuarve janë 11 grekë dhe 6 shqiptarë. Sipas Europolit, rrjeti i trafikantëve me bazë në Greqi, mendohet të ketë fituar miliona Euro nga trafkimi i drogës në shtetet evropiane.
Arben Shahini