Bashkia e Mallakastrës asgjëson parcelat e policisë me kanabis

Kryebashkiaku i Mallakastrës, Agron Kapllanaj ka bërë publik në faqen e tij në “Facebook” një operacion të Policisë Bashkiake kundër kultivimit të bimëve narkotike, në zonën e quajtur “Lumara 2”. Sipas Kapllanajt, dy parcela prej rreth 6000 m2, pronë publike, ishin zaptuar për të kultivuar kanabis. Kryebashkiaku akuzon Policinë e Shtetit se nuk ka ndërhyrë qëllimisht në këtë zonë të Mallakastrës ku është kultivuar drogë. Sipas tij, jugu dhe gjithë vendi është kthyer në kartel droge.
“Të nderuar miq! Pas informacioneve, që sapo kanë filluar të më vijnë për zaptim të pronave publike në territorin e Bashkisë Mallakastër, dje, së bashku me Policinë Bashkiake organizova një operacion kontrolli dhe verifikimi. Nga kontrolli në zonën e quajtur “Lumara 2” konstatuam se ishin zaptuar dy parcela prej rreth 6000 m2. Ishin punuar në të gjithë sipërfaqen dhe ishin hapur gropa gati për t’u mbjellë!! Çfarë do mbillej thoni ju?? Do të mbillej bimë narkotike cannabis sativa! Do të pyesni ju se nga e kuptuat se do të mbillej pikërisht bimë narkotike??!! Sepse në njërën nga këto parcela ishte “kultivuar” fare pa teklif, një fidanishte me rreth 2500 kubikë. E po ashtu, ishte ngritur edhe një “kamping” i pajisur mirë me tre dyshekë për të fjetur, me mjetet e punës, me tubo plastike për ujitje, orendi shtëpiake për të gatuar, madje edhe ushqime.
Në pamje të parë dukej tamam një kamp veror. Kuptohej fare lehtë se këta “kultivues” kishin gjetur garanci, qetësi dhe mbrojtje, sepse fare të patrazuar kishin gjetur guximin për të ngritur haptazi dhe kultivuar plantacionin e tyre të drogës! Më informojnë se, në këtë zonë, parcela të tilla janë shumë, madje një situatë e tillë është pothuajse në të gjithë Mallakastrën. Një gjendje e pandodhur kurrë më parë. Dje, ishte dita ime e parë e kontrollit dhe e verifikimeve në terren dhe ky që sapo ju rrëfeva ishte rezultati i frikshëm. Ju garantoj që nuk do të rresht çdo ditë dhe do t’ju faktoj se Mallakastra, ashtu si gjithë jugu dhe gjithë vendi është kthyer në kartel droge, ku territori çdo ditë po i dorëzohet pa kushte krimit dhe drogës. Unë dhe ju nuk pajtohemi me këtë gjendje! Unë dhe ju besojmë tek puna, rendi dhe ligji. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të ndershëm të denoncojnë rast pas rasti. Jam i bindur se të gjithë ju miq të mi dhe të gjithë qytetarët mallakastriotë nuk e doni Shqipërinë si Kolumbi. E pra, të nderuar miq kjo është “Rilindja”! Ne jemi kundër dhe do luftojmë çdo ditë për kontrollin e territorit”, shkruan Kapllanaj në “Facebook”.

Artikulli paraprakMziu: Qeveria ka braktisur Kamzën, ja projektet për 2016
Artikulli tjetërProkuroria: Pajisja e përgjimit e policisë pa leje edhe në Itali