“Politikanët e korruptuar të vihen përpara drejtësisë”

Pas reagimit të fortë të Popullorëve Europianë, një tjetër deklaratë vjen edhe nga Fondacioni Konrad Adenauer, i cili shpreh shqetësimin serioz për situatën e rëndë që po kalon Shqipëria ku krimi, droga dhe lidhjet e tij me pushtetin janë tema e ditës, ndërkohë që zhvillimi i vendit ka stopuar në çdo sektor. Zhvillimet e fundit në Shqipëri janë ndjekur me interes edhe nga ekspertët gjermanë në fushën e drejtësisë. Shefi i zyrës së fondacionit Konrad Adenuaer, Walter Glos tha se politikanët e korruptuar duhet t’i drejtohen gjykatës për të provuar pafajësinë e tyre. Deklaratat u bënë në një tyrezë për ecurinë e reformës në drejtësi ku ekspertë gjermanë të drejtësisë thonë se reformimi i drejtësisë në Shqipëri po vonohet dhe se progresi nuk është bindës.
Ndërkohë që në Parlament mazhoranca rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, jo shumë larg këtij institucioni shefi i zyrës së fondacionit gjerman Konrad Adenaur adresoi një mesazh të fortë për politikanët e korruptuar. Sipas Walter Glos, ekspert për reformën në drejtësi tha se vendi për të provuar fajësinë apo pafajësinë e një politikani është gjykata dhe se ai nuk duhet të mbrohet përmes imunitetit.
“Populli e do më shumë reformën në drejtësi sesa politika, vendimmarrësit duhet të mos e pengojnë këtë proces, por ta nxisin atë. Kur të shohim sukses të reformës do të hapim dritën jeshile për çeljen e negociatave. Ndërkohë mirëpresim konsensus mes partive. Nisur me zhvillimet e fundit duhet të them se po ndërmerren dy standarde për politikanët dhe qytetarët. Nëse ka politikanë të korruptuar, vendi për të provuar pafajësinë apo fajësinë është në gjykatë”, u shpreh Glos.
Ish-drejtuesi i Misionit Euralius, Rainer Deville tha se ka vonesë në implementimin e reformës dhe tha se progresi i bërë nuk është bindës.
“Në vitin 2017, progresi i reformës nuk ka qenë aq i madh dhe bindës sa në vitin 2016. Vëmendja ka humbur dhe ngjarje të tjera kanë tërhequr vëmendjen e publikut. Procesi ka një vit vonesë dhe nuk ka filluar ende si duhet, edhe pse tani duhet të ishte drejt fundit. Kini parasysh se kjo reformë nuk i përket vetëm një partie, kjo i përket gjithë politikës dhe qytetarëve”, tha Deville.
Vetë njerëzit e drejtësisë shprehen besimplotë se procesi i Vettingut do të rikthejë besimin e qytetarëve te drejtësia. “Unë jam e bindur se beteja që kemi përpara është shumë e vështirë. Do të përballemi me sulme, me përbaltje që nuk do të na kursejnë as personalisht, por asgjë dhe askush nuk do të mund të ndalë këtë përballje etike për të sotmen dhe të ardhmen e një Shqipërie të drejtë dhe të ndershme”, u shpreh Natasha Mulaj.
Për politologun Afrim Krasniqi, problemet e vërejtura deri tani janë transparenca dhe cilësia. “Reforma po përdoret nga politikanët si një top, po themi kërcënimi ndaj njëri-tjetrit. Në fakt nuk është ky thelbi i reformës. Thelbi i reformës është që jo politikanët ta përdorin drejtësinë, po drejtësia të vendosë drejtësi në Shqipëri ku politikanë dhe qytetarë të jenë të barabartë dhe para përgjegjësisë së njëjtë. Pritshmëritë janë jashtëzakonisht më të mëdha dhe me kohë, dhe me cilësi dhe që do të duhet shumë më tepër transparencë”, u shpreh Krasniqi. Për ekspertët gjermanë të drejtësisë duhet të jetë politika shqiptare ajo që duhet të marrë në dorë fatin e reformën në drejtësi, pa pritur nga ndërkombëtarët.

Artikulli paraprakEdi Rama është sëmurë me sindromën e stresit post traumatik
Artikulli tjetërEkonomia në duart e krimit, investimet e huaja direkte drejt rënies