Një aksident i rëndë ka ndodhur dje pasdite në Tiranë. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:30 tek Rruga e “Qelqit” në Kombinat, teksa një furgon mallrash ka përplasur një fëmijë rreth 5-7 vjeç, por identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.
Fëmija është transportuar në spital dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, por jashtë rrezikut për jetën. Forcat e policisë kanë shkuar në vendngjarje, kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit. Bëhet e ditur se, policia ka shoqëruar në komisariat drejtuesin e mjetit.
Një tjetër aksident ka ndodhur pak minuta më vonë, tek diga e Liqenit Artificial në Tiranë. Bëhet e ditur se dy makina janë përplasur dhe nuk dihet ende nëse ka persona të plagosur. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, ndërsa nuk dihet ende nëse ka persona të plagosur.
Ndërkohë, është identifikuar viktima e aksidentit të ndodhur një ditë më parë në kryeqytet, në zonën e Porçelanit. Sipas Policisë, viktima është XH.SH., 63 vjeç, banues në kryeqytet.
Ai ishte duke lëvizur me biçikletë, kur është përplasur nga një makinë tip “Seat” që drejtohej nga J.D., 28 vjeç. Përplasja e ndodhur në mesditë në rrugën “Hoxha Tahsim”, ka rezultuar fatale për 63-vjeçarin, i cili ka humbur jetën. Ndërkohë, 28-vjeçari është arrestuar nën akuzën e veprës penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.