Arrestohet nipi i ish-deputetit të PS, plagosi me armë në zgjedhje

Me kërkesë të Prokurorisë, forcat RENEA arrestuan dje nipin e ish-deputetit të PS të Lezhës, Arben Ndoka. Bëhet e ditur se, Damian Ndoka është arrestuar pas kërkesës së Prokurorisë për plagosjen e një aktivisti të LSI në zgjedhjet e 25 qershorit. Në njoftimin e Policisë së Lezhës thuhet se, një operacion i ndërmarrë nga Policia Vendore e Lezhës në bashkëpunim me forcat RENEA bëri të mundur arrestimin e disa personave, mes tyre edhe Damian Ndoka, 20 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë.
Nipi i ish-deputetit të PS, Arben Ndoka, akuzohet se gjatë ditës së zgjedhjeve në 25 qershor, plagosi me armë tek qendra e votimit Florian Dushkun, aktivist të LSI-së. Në momentin e ndalimit nga forcat policore, shtetasit Damian Ndoka iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një pistoletë e markës “Smith Wesson” me mulli me 6 fishekë.
Para tre ditësh ish-Kryeministri Berisha denoncoi plagosjen e dy të rinjve në Shëngjin nga nipërit e ish-deputetit të PS, Arben Ndoka. Florian Dushku dhe Samet Berçaj ishin duke ecur në trotuar kur një makinë u ndaloi te këmbët dhe dy nipërit e Ndokës i qëlluan me plumba, duke marrë plagë nga plumbat në gjymtyrë. Njëri nga autorët që ndodhej në vendin e pasagjerit nisi të qëllojë me pistoletë. Dushku dhe Berçaj vrapuan për t’u fshehur, por autori zbriti dhe ndoqi njërin prej tyre për 50 m me armë në dorë. Për fat si Dushku dhe Berçaj i mbijetuan këtij sulmi me armë dhe ndodhen në spital.
Autorët njihen nga policia, pasi ngjarja ka lidhje me ditën e zgjedhjeve, në 25 qershor ku Dushku u qëllua me pistoletë nga nipërit e Ndokës në afërsi të qendrës së votimit. Dushku njihet si mbështetës i LSI-së. Për ngjarjen e 25 qershorit, policia tha se, shpalli në kërkim tre persona: Samuel Ndokën, Damian Ndokën dhe Gentian Markun. Këta persona edhe pse të shpallur në kërkim lëvizin lirisht në qytet pa asnjë problem për policinë. Vetëm pas ndërhyrjes së Prokurorisë, u bë i mundur arrestimi i njërit prej vëllezërve Ndoka.
4 krimet e nipit të Ndokës
– Ndaj Damian Ndokës, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me Vendimin Penal datë 20.10.2014, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Vrasje me dashje kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë”,”Plagosje e rëndë me dashje”,”Armëmbajtje pa leje”, parashikuar nga nenet 76, 22, 25, 278/2 të Kodit Penal.
Kjo masë sigurie e vendosur, shtoi Bledar Çeliku, pasi më datë 16.09.2014, në afërsi të Katedrales së qytetit të Lezhës, në bashkëpunim me persona të tjerë ka tentuar të vrasë shtetasin F.N.
– Po ndaj shtetasit Damian Ndoka, me Vendimin Penal datë 28.06.2017, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit” dhe “Plagosje e lehtë me dashje” parashikuar nga nenet 89, 278/1 dhe 329 të Kodit Penal.
Kjo masë sigurie e vendosur pasi, më datë 25.06.2017, në qytetin e Shëngjinit, përpara lokal “Detarit”, ka kanosur dhe dhunuar shtetasin F. D.
– Gjithashtu, ky shtetas është i dyshuar edhe për ngjarjen e datës 22.05.2017, ku pas një konflikti për motive të dobëta me një shtetas ka qëlluar me arme zjarri në drejtim të gomave të mjetit tip fuoristradë “Range Rover”, me drejtues shtetasin B.L.
Po ashtu, ai akuzohet se më datë 21 tetor 2017 bashkë me një person tjetër plagosën me armë dy shtetasit Florian Dushku dhe Samet Berçaj në Shëngjin.

Artikulli paraprakTritoli trondit Burrelin, hidhet në erë një makinë
Artikulli tjetërProkuroria: Tani nuk ka vlerë kontrolli në banesat e Tahirit