Terrori i Tatimeve ndaj biznesit

Tatimet kanë nisur së fundmi një kontroll të imtësishëm të faturave të shitjeve dhe blerjeve të lëshuara nga bizneset.
Kontrolli po bëhet përmes të ashtuquajturit “kryqëzim” të faturave, sipas të cilit çdo faturë blerjeje për një biznes është faturë shitjeje për tjetrin dhe anasjelltas. Sistemi i deklarimit online u mundëson tatimeve që të bëjnë automatikisht kontrollin e faturave.
Bizneset raportojnë se së fundmi kanë marrë shkresa nga tatimet ku njoftohen se nga verifikimi i librave të shitblerjeve rezulton se ata nuk kanë deklaruar shitjet ose blerjes. Shkresa të tjera u kanë shkuar subjekteve ku njoftohen se po në bazë të verifikimit të faturave të shitblerjes rezulton se subjekti ka realizuar shitje apo blerje nga bizneset që janë me status pasiv.
Bizneseve u është kërkuar që deri në fund të tetorit të dorëzojnë të gjitha dokumentacionet lidhur me shitjet dhe blerjet e kryera (të noterizuara). Në rast të mosdhënies së informacionit në bazë të ligjit të procedurave tatimore nga ana e tatimeve do të bëhen rivlerësimet përkatëse.
Ligji për procedurat tatimore sanksionon se në rast se konstatohet mosdokumentim i mallit kryhet rivlerësim i shitjeve në të njëjtën vlerë me vlerën e tregut të mallit të padokumentuar dhe aplikohet dënim. Neni 124 i procedurave thotë se, “Moslëshimi i faturës tatimore, dëftesës tatimore apo і faturës tatimore me TVSH dënohet me gjobë të barabartë me 100 për qind të tatimit të padeklaruar, si rezultat i moslëshimit të faturës, përveç tatimit dhe kamatëvonesave që llogariten dhe paguhen në përputhje me dispozitat e këtij ligji apo të ligjeve specifike tatimore”.
Ligji për procedurat tatimore parashikon edhe që në rastin e refuzimit për dhënien e informacionit të kërkuar nga Administrata Tatimore, subjekti dënohet me gjobë me 10 000-50 000 lekë për çdo shkelje.
Që nga 1 tetori, tatimet kanë nisur një aksion të gjerë antiinformalitet. Sipas të dhënave të fundit nga tatimet në tre javët e para të aksionit janë verifikuar në terren 7720 tatimpagues, nga të cilët 1720 tatimpagues janë penalizuar, ndërsa për 250 subjekte është marrë masa e mbylljes së aktivitetit.
Në skemën e kontributeve kanë hyrë 547 punonjës të padeklaruar. 971 tatimpagues kanë paguar detyrimet e prapambetura. 2563 tatimpagues kanë përfituar nga kompensimi i detyrimeve debitorë me gjendje kreditore dhe tepricën kreditore të TVSH-së në vlerën e 81,663,834 lekë.

Artikulli paraprakBB: Investimet e huaja në Shqipëri do të bien me 22%
Artikulli tjetërCana, ambasador i projektit “Grassroots”