Habilaj, ngarkesa e parave me kamion nga Italia në Shqipëri

Në dosjen e hetimeve të Gjykatës së Katanias e firmosur nga gjykatësja Loredana V.K Pezzini makina “Audi A8” me targë AA 003 GB në përdorim të Moisi Habilaj lindur në Shqipëri më 18.01.1978 përmendet të ketë hyrë disa herë në territorin italian.
Në faqen 193 të kësaj dosje, hetuesit italianë shpjegojnë se Habilaj (Moisi) e Çelaj (Sabaudin) kanë hyrë në Siçili disa herë me këtë makinë e cila, siç shkruan dokumenti italian “është në pronësi të Saimir Bashkim Tahirit, ministër i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë.
Gjithashtu hetuesit italianë shpjegojnë se, më datë 24.02.2014, Moisi Habilaj së bashku me Sabaudin Çelaj kanë hyrë në Siçili në bordin e automjetit “Audi A8” AA 003 GB e kanë qëndruar deri më datë 04.03.2014.
Gjatë kësaj periudhe kohore të qëndrimit të tyre në Siçili, grupi i trafikantëve shqiptarë ka realizuar me sukses transportimin nga Shqipëria të një sasie marijuane për llogari të italianit Sebastiano Sardo, person besnik i klanit mafioz Capello, i arrestuar nga policia italiane në janar të 2017. Prej verës së 2017, mafiozi Sebstiano Sardo është bashkëpunëtor me drejtësinë italiane.
Në dosjen hetimore të Gjykatës së Katanias disa herë verifikohen bashkëpunime të grupit të Habilajve me mafiozin Sebastiano Sardo.
Hetuesit italianë kanë dokumentuar më date 26 shkurt 2014, takimin mes Moisi Habilaj e Sebatiano Sardo në lokalin “Bar Storico” të Katanias, ndërsa vështronin nga larg transportimin e drogës në bordin e një furgoni të tipit “Ford” nga një vend furnizimi karburanti “Eni” drejt një dyqani shitje dyshekësh në rrugën “Concordia”.
Më datë 05.03.2014 Policia Antidrogë e Katanias sekuestron në këtë magazinë 30.5 kg drogë e konfiskuar në 26 thasë dhe arrestojnë shtetasin italian Gugliemo Mario i datëlindjes 1967.
Sipas përgjimeve italiane, më 4 mars 2017, Moisi Habilaj e Sabaudin Çelaj nisen drejt Shqipërisë me anijen “Bari” të shoqërisë së trageteve “Ventuoris Ferries”. Nisja bëhet në ora 23:00 nga Porti i Barit dhe mbërritje në ora 08:00 në Portin e Durrësit.
Moisi Habilaj e Sabaudin Çelaj udhëtojnë me makinën “Audi A8” AA 003 GB (në pronësi të Saimir Bashkim Tahirit) e listuar në mjetet e imbarkuara në traget, me biletën me numër 123551973.
Para nisjes drejt Shqipërisë, Moisi Habilaj takon një shqiptar, shofer kamioni i quajtur Melo, i cili do të transportonte për llogari të tij një sasi parash drejt Shqipërisë.
Prokuroria e Krimeve të Rënda argumentoi një javë më parë në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit kërkesën e heqjes së mandatit dhe arrestimin e deputetit të PS, Saimir Tahiri. Prokuroria referoi regjistrat e TIMS të cilat, sipas tyre, tregojnë se ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, pasi ka shitur makinën tek Artan Habilaj, e ka ripërdorur këtë makinë disa herë për të udhëtuar jashtë kufijve. Madje, në njërin prej rasteve, sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ishte vetë Artan Habilaj, ai që udhëtoi me makinën në fjalë drejt Greqisë, për t’u kthyer me të njëjtën makinë vetë ministri i Brendshëm, Tahiri.
Sipas Prokurorisë, nga viti 2013 deri në vitin 2016, këtij institucioni nuk i janë referuar asnjëherë materiale lidhur me grupin e strukturuar kriminal të Habilajve, të cilët funksiononin prej 4 vitesh në Shqipëri. Sipas prokurorëve, nën hetim vazhdojnë të jenë ende persona të implikuar dhe si rezultat i lidhjeve të ish-ministrit, për ta ekziston mundësia e prishjes së provave dhe largimit të të dyshuarit.

R.POLISI

Artikulli paraprakRama i la Tahirit 10 ditë kohë për zhdukjen e provave
Artikulli tjetër“Askush mbi ligjin”, pse SHBA po u drejtohet qytetarëve për të vërtetën?