Gabigol mund të kthehet tek Inter

Nuk ka mbaruar akoma makthi i Gabigol. I transferuar në Itali në gushtin e 2016-ës si goditja më e rëndësishme në merkaton e parë të Inter-it nën drejtimin e Suning, sulmuesi brazilian është pritur me një entuziazëm të madh dhe është prezantuar me një bujë që është krahasuar nga shumë me atë të kalimit të një tjetër talenti brazilian te zikaltrit, “Fenomeni” Ronaldo. Por, me kalimin e kohës, drejtuesit zikaltër kanë kuptuar se 30 milionë eurot që derdhën në arkat e Santos janë çuar dëm dhe kanë vendosur ta huazojnë te Benfica gjatë verës, duke fiksuar në 25 milionë euro çmimin për blerjen e tij në fund të sezonit.
Por edhe në Portugali 21-vjeçari nuk po bind, përkundrazi. Nga fillimi i sezonit ka luajtur vetëm katër ndeshje, për një total prej 148 minutash. Një aktivizim i pakët në krahasim me atë që priste lojtari dhe Inter, me zikaltrit që shpresonin te një rritje e vlerës së tij në fund të sezonit. Tani, siç ka bërë të ditur e përditshmja portugeze “O Jogo”, në janar braziliani mund të kthehet te zikaltrit.
Ka pak mundësi që Inter ta pranojë këtë zgjidhje, duke parë marrëveshjen që ka arritur me Benfica-n në verë. Ka më shumë mundësi që dy klubet të kërkojnë një skuadër tjetër për brazilianin, objektivi i të cilit është të jetë pjesë e kombëtares së Brazilit për Kupën e Botës. Nga Inter te Benfica, historia nuk ndryshon për Gabigol.
Ndërkohë, Gabriel Jesus është një sulmues shumë i mirë, është vetëm 20 vjeç, shënon vazhdimisht dhe është një i përzgjedhur nga fati. “Fenomeni” Ronaldo dhe Careca nuk i kanë kursyer elozhet për të, ndërsa Guardiola e ka vënë menjëherë në qendër të sulmit të tij, të njëjtën gjë që ka bërë edhe trajneri i Brazilit, Tite. Ai i ka shpërblyer të gjithë me gola. Por ajo që befason më shumë është se Gabriel Jesus, mes kampionatit, kupave dhe ndeshjeve kualifikuese me Brazilin, nuk humb prej një viti.
Ai nuk ka humbur kurrë në 2017-ën dhe ky është një rekord i pabesueshëm. Sepse City ka humbur disa ndeshje gjatë vitit. Por ai nuk ka qenë në fushë. Kështu, braziliani ka kaluar plot 365 ditë pa humbje në ndeshje zyrtare. Një vit më parë është mundur nga Santos, kur luante me Palmeiras-in, me ndeshjen që është mbyllur 1-0. Nga ai moment sulmuesi 20-vjeçar ka luajtur 39 ndeshje zyrtare me Palmerias, Manchester City dhe Brazilin dhe nuk ka humbur. Shifra të pabesueshme ato të Jesus, i cili ka humbur vetëm dy ndeshje në këto 12 muaj, por kanë qenë dy miqësore të luajtura kundër Argjentinës dhe Girona-s.
Në këtë sezon, ai ka shënuar 6 gola në 8 ndeshjet e luajtura në kampionat, 8 në 13 ndeshjet e luajtura në total në këtë sezon dhe 15 në 24 takimet e zhvilluara me Manchester City në këtë vit kalendarik. Mesatarja e golave për ndeshje është akoma më e lartë me Brazilin: 7 gola në 11 ndeshje.

Artikulli paraprakLukaku, i paprekshëm
Artikulli tjetërProfesori amerikan i rrëmbyer nga talebanët në gjendje të rëndë shëndetësore