Presioni politik shkarkoi Visho Ajazin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e konsideroi dje dorëheqjen e kreut të SHISH, Visho Ajazi, një shkarkim politik si rrjedhojë e presioneve të forta të kryeministrit Rama për shkak të frikës së këtij të fundit nga informacionet sensitive që mund të ketë SHISH mbi lidhjet e qeverisë e konkretisht Ramës me bandat e drogës.
Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve mbi dorëheqjen e Ajazit, Basha shprehu bindjen se, raportet e disponuara nga SHISH mbi veprimtarinë e policisë dhe implikimin e saj me trafikun e drogës kanë tmerruar në palcë Edi Ramën i cili sot përmes presioneve ka larguar nga detyra kreun e SHISH, duke vendosur në krye të këtij institucioni njeriun e besuar të tij.
Basha paralajmëroi dështimin e të gjitha përpjekjeve të dëshpëruara të Ramës për të mbyllur aferën e drogës së tij dhe Saimir Tahirit, ndërsa paralajmëroi se çështjes së Saimir Tahirit derisa ky i fundit të vihet para drejtësisë do t’i shkohet deri në fund.
“Një gjë është e sigurt; një Shërbim Informativ, i cili harton raporte për përfshirjen e Policisë në kultivimin dhe trafikimin e drogës, siç ka bërë SHISH prej dy vitesh, është halë në sytë e narko-shtetit dhe të Edi Ramës. Ndaj nuk mund të ketë konkluzion tjetër përveçse presionit politik.
Kjo tregon që narko-shteti është në panik total dhe po bën gjithçka për të mbyllur aferën e Samir Tahirit. Por e kundërta do të ndodhë. Kësaj afere do t’i shkohet deri në fund. Saimir Tahiri nuk do t’i shpëtojë drejtësisë. Kjo është e sigurt”, tha Basha.

Beteja e Ramës kundër SHISH

Ndërkohë, beteja e Ramës për të larguar Ajazin nga një institucion delikat, që zotëronte sekretet e pushtetit dhe politikës, ka nisur që të nesërmen e futjes në zyrën e kryeministrit. Të gjithëve ju kujtohet, kur kryeministri personalisht, (por më së shumti beniamini i tij Saimir Tahiri) e akuzonte Ajazin, se nuk jepte informacion për grupet e tritolit, që “goditën” edhe familjen e ish-ministrit të Brendshëm. Por akuza më e rëndë ishte ajo, për përgjimin nga ana e SHISH, të eksponentëve të mazhorancës. Ajazi akuzohej veçanërisht nga dyshja Rama-Tahiri se kreu i SHISH, nuk jepte informacion dhe nuk raportonte për asgjë te kryeministri dhe Ministria e Brendshme, por vetëm te ish-Presidenti Bujar Nishani.
Rama u nis për në SHBA në Asamblenë e OKB-së dhe pas kthimit, lufta e Rilindjes me SHISH kaloi në një fazë armëpushimi, të paktën në dukje. Amerikanët që kishin si prioritet global luftën kundër terrorizmit, jo vetëm që e detyruan Ramën që të mbante të lidhur gjuhën për institucionin me të cilin bashkëpunonte ngushtë në këtë betejë strategjike (ISIS ishte në kulmin e vet në atë kohë), por edhe e detyruan që ta vlerësonte, “për punë të shkëlqyer”. Gjithçka u duk se u mbyll me kaq, deri në pranverë-verë të vitit 2016, kohë që përkon me nisjen e një plani gjigant, për kanabizimin e gjithë vendit. Ashtu siç edhe u vërtetua më vonë, strukturat e SHISH nisën të mbledhin informacion të bollshëm, për atë që po ndodhte dhe përfshirjen direkte të policisë, në këtë ndërmarrje gjigante kriminale.

Raportet e SHISH që tmerrojnë Ramën

Raportet që dilnin nga institucioni që drejtohej nga Ajazi ishin në përputhje të plotë (shpesh edhe në bashkëpunim), me ato të shërbimeve sekrete gjermane, italiane etj., për atë që po ndodhte në mes të Europës. Të gjitha informacionet; listat me emra kryepolicësh që bashkëpunonin me prodhuesit dhe trafikantët e drogës; zonat e mbjella; pistat për avionët transportues; fikja e radarëve; tunelet dhe depot e ushtrisë, doganat; pikat kufitare gjithçka që po ndodhte në funksion të kësaj ndërmarrje kriminale, u dokumentua dhe u paralajmërua, nga SHISH i Visho Ajazit.
Meqenëse Edi Rama refuzoi me ndërgjegje që ta pranonte këtë realitet, u vunë në dijeni edhe homologët e vendeve partnere. Ditën e premte, ndërkohë që Presidenti i vendit Ilir Meta gjendej jashtë vendit, ai vendosi që të vinte veton dhe të “pushonte” nga detyra Ajazin, për ta zëvendësuar me Helidon Bendon. Paralelisht me këtë hap ishte kujdesur (dhe vazhdon edhe sot) që nëpërmjet mediave që ka nën kontroll, të përhapte lajmin se “Kreut të SHISH, i ka mbaruar mandati”. Për ta bërë sa më të “kapërdishme” hakmarrjen, Rama nuk tentoi që të vendoste në atë pozicion të rëndësishëm, një njeri të besuar të tij. Për atë mjaftonte vetëm që Ajazin të mos e kishte më nëpër këmbë, veçanërisht në këto kohë të vështira.
Helidon Bendo ka shërbyer në SHISH 21 vite pa ndërprerje dhe ka qenë aty, ndërkohë që parakalonin të gjitha qeveritë e tranzicionit; si një teknicien që e ka ngjitur natyrshëm karrierën brenda institucionit. Pavarësisht se ka qenë shok shkolle dhe janë nga i njëjti qytet me Niko Peleshin, ai në rrethet e ngushta të shërbimeve sekrete njihet më së shumti, si “njeri i amerikanëve”. Kjo ka qenë edhe arsyeja pse Ajazi ka pranuar të vetëdorëhiqet, formalisht. Nëse Edi Rama do të kishte tentuar që ta kapte SHISH (siç ka bërë me institucionet e tjera), duke vendosur në krye të tij ndonjë shok të Engjëll Agaçit, atëherë situata do të ishte ndryshe edhe për presidentin, edhe për opozitën. Pavarësisht të gjithave, një gjë është e sigurt: Ajazin e largoi nga detyra, frika e Edi Ramës dhe Saimir Tahirit.

 

Artikulli paraprak1800 faqe përgjime të reja, Tahiri sërish në Prokurori
Artikulli tjetërEtike, kur vendin e ka mbytur droga dhe krimi i organizuar?!