Që Massimiliano Alegrit i pëlqen së tepërmi mesfushori i Romës, Miralem Pjaniç kjo nuk është më një mister. Diçka të tillë e ka konfirmuar vetë trajneri i kampionëve të Italisë në një intervistë për mediat, por nga ana tjetër, Alegri ka bërë të ditur se deri tani nuk ka patur asnjë kontakt mes tij dhe futbollistit boshnjak për një transferim të mundshëm të Pjaniç te Juventusi. “Është një nga mesfushorët më të fortë të Botës dhe mbi të gjitha është një lojtar i madh, por unë kurrë nuk i kam telefonuar atij, deklaroi numri 1 i stolit të Juventusit, kur pyet në lidhje me 26-vjeçarin ballkanas. Nuk do ta bëja asnjëherë diçka të tillë me një futbollist që nuk është nën kontratë me Juventusin shtoi më pas Alegri.
Siç shihet trajneri i skuadrës torineze nuk ka dashur të zbulojë më shumë sesa duhet përsa i përket tratativës që mund të dërrgojë, boshnjakun te Juvja. Por Pjaniç nuk është tema e vetme e nxehtë në shtëpinë bardhezi, sepse në një çështje tepër serioze është kthyer edhe e ardhmja e Alvaro Moratës. Shpresoj që ai të mos largohet u shpreh Alegri kur u ngacmua nga gazetarët në lidhje me sulmuesin spanjoll. Për Moratën po flitet gjithnjë e më shumë për një rikthim të mundshëm të tijin te Reali i Madridit.
Juventus gjen pasardhësin e Pirlos. Edhe pse ende asgjë nuk është bërë zyrtare, transferimi i mesfushorit Miralem Pjaniç në radhët e bardhezinjve, do t’i japë një tjetër imazh mesfushës së kampionëve të Italisë. Kjo është pikërisht, ajo që do trajneri i Juves Massimilianno Alegri për sezonin e ardhshëm, një mesfushë të konsoliduar dhe të fortë, ku sigurisht do të tentohet dhe fitimi i Champions League. Përpara se tekniku toskan të firmoste rinovimin e kontratës, u kërkoi drejtuesve të klubit, që për sezonin e ardhshëm të kryenin blerje cilësore. Realizimi i kërkesës së tij, nuk vonoi. Edhe pse merkato ende nuk ka nisur, Presidenti i Juventusit Agnelli, ka vendosur t’i bëjë dhuratën e parë trajnerit Alegri.
38 milionë është vlera e klauzolës së Pjaniç dhe duke parë aftësitë e mira që ka mesfushori, mund të konsiderohet një goditje cilësore nga ana e drejtuesve të klubit bardhezi. Për trajnerin Alegri, boshnjaku është mesfushori ideal për skemat e tij, duke parë dhe cilësitë që ka futbollisti në kontrollin e topit. 26-vjeçari ndoshta do të marrë në skuadër vendin e lënë bosh nga Andrea Pirlo, i cili gjatë verës së vitit të kaluar u transferua te New York City në Major League Soccer. Statistikat e Pjaniç në këtë sezon të Serisë A janë të kënaqshme. Ai ka arritur të realizojë 12 gola dhe 13 asisite. Karakteristikat e tij të lojës, janë ato të një mesfushori modern, pasi mund të luajë si organizator, si mesfushor krahu dhe si trekuartist.