Bylykbashi: Asnjë kufizim ndaj shkeljeve që çojnë zyrtarët e lartë përpara drejtësisë

Komisioni i posaçëm për Reformën në Drejtësi u mblodh dje për diskutimin e kapitullit të paketës së rishikuar të ndryshimeve kushtetuese, që lidhet me funksionimin e gjykatave. Pas diskutimit të premten për kapitullin e dytë që lidhej me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, dje vijoi puna për kapitullin e gjykatave.
Palët janë shprehur optimistë për ecurinë e procesit, ndërsa mbeten ende pa dakordësi disa çështje politike, ku më kryesorja është mënyra e votimit të zyrtarëve të lartë të institucioneve të drejtësisë, me 2/3 apo 3/5. Në përfundim të mbledhjes, demokrati Oerd Bylykbashi bëri të ditur se në mbledhjen e djeshme u shtruan të gjitha problematikat dhe u bënë propozimet konkrete që duhet të rishikohen në nivelin teknik. Sipas Bylykbashit, ngritja e Gjykatës së Lartë Administrative do të krijojë vetëm konfuzion.
“Puna e përbashkët do të na çojë në konkluzione. Shtruam të gjitha problematikat, bëmë dhe propozime konkrete që duhet të rishikohen në nivelin teknik. Nuk duhet të ketë asnjë lloj kufizimi dhe amnistimi i të gjithë atyre shkeljeve që do t’i çonin zyrtarët e lartë përpara drejtësisë.
Ajo që na duhet është një Reformë në Drejtësi që do t’i garantojë qytetarit të thjeshtë një drejtësi të shpejtë transparente dhe të pastër nga korrupsioni, gjyqtarët nuk duhet të jenë peng të interesave që nuk kanë të bëjnë me drejtësinë. Gjykata e Lartë Administrative nuk është një çështje që i jep zgjidhje të veçantë nevojës për drejtësi administrative. Ekzistenca e kësaj gjykate sjell paqartësi për subjektet, se cilës gjykatë t’i drejtohen. Një konfuzion në mënyrën e dhënies drejtësi nga sistemi i drejtësisë”, deklaroi Bylykbashi.

Artikulli paraprakMalltezi: Përballë një të çmenduri me kartelë, gjyqtarët preferojnë të bëjnë lolon
Artikulli tjetërÇullhaj ktheu në punë oficerin e përjashtuar për dekonspirim të operacionit të drogës